E ftuar në emisionin “Wake Up” në Top Channel, ka qenë gazetarja Aida Topalli e cila ndër të tjera ka folur për një lloj lënde narkotike që po qarkullon nëpër lokalet e Tiranës nga të rinjtë.
Bëhet fjalë për një tullumbace me gaz, por nuk dihet ende se çfarë kanë në përmbajtjen e tyre dhe efektet anësore që shkakton tek personat që e përdorin.
Aida Topalli: Tani kanë dalë edhe disa droga të reja do i quaja, janë gazra të cilat mbajnë lëndë narkotike në brendësinë e tyre nëpër lounge-t e Tiranës. Janë 2 ose 3 pika që unë i kam konstatuar, në fakt është për të ardhur keq. Kemi disa tullumbace, por ende nuk i dimë efektet anësore të tyre. Edhe policia e ka shumë të vështirë për të kuptuar se çfarë përmbajtje kanë këto tullumbace.
Është në formën e gazit, është krijuar në Amerikë, është zbuluar në Amerikë, është reklamuar atje, por problemi është se nuk e dimë nëse është i njëjti gaz që përdoret në Amerikë, apo është një gaz tjetër për të cilin nuk e dimë ende efektet anësore. Besoj se do duhet shumë kohë për ta zbuluar se çfarë kemi.
Blendi Salaj: A ka një emër ky gazi?
Aida Topalli: Në mos gaboj kemi dhe Azot brenda, por ende dhe ne nuk kemi arritur. Në fakt unë kam marrë një mostër, e kam dërguar në laborator, kështu që duhet të pres një përgjigje. Në Amerikë e përdorin për të qeshur, për të sjellë atë situatën gazmore, për të rregulluar humorin, por këtu kam parë disa sjellje jo normale. Unë kam patur vetë një rast, kur kam parë dikë të bjerë në shesh. Ose nuk dimë ta përdorim dhe kjo është ajo gjë që më bën të dyshoj nëse kemi një gaz tjetër, nuk është ai që është në vendin e prodhimit, pra kemi një ngatërresë, apo ne nuk dimë efektet dhe nuk dimë ta përdorim?!
Neada Muçaj: Çfarë çmimi ka një tullumbace e tillë?
Aida Topalli: 3 mijë lekë të vjetra nëpër lokalet e Tiranës.
Top Channel