Escobar në Tiranë, në 3 ditë takime me krerët e institucioneve dhe Alibeajn! 3 çështjet që do të diskutohen

11/04/2023 13:43

Zv.ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe EuroAzinë, Gabriel Escobar nisi ditën e sotme një vizitë në Shqipëri ku do të takojë drejtuesit më të lartë të vendit dhe përfaqësues të Enkelejd Alibeajt në Partinë Demokratike.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu raporton më tej detajet dhe fokusin e kësaj vizite.

“Serinë e takimeve në Tiranë, Escobar do ta nisë me një takim në Kryemistri me kreun e qeverisë Edi Rama dhe një orë më pas do të ngjis shkallët e Presidencës për t’u takuar me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.

Sakaq, ditën e nesërme planifikon të takohet me Enkelejd Alibeajn dhe një grup përfaqësuesish të Partisë Demokratike. Ndërkohë, zyra e shtypit të Partisë së Lirisë tregon se Escobar ditën e nesërme do të takohet me ish-presidentin Ilir Meta.

Sa i përket qëllimit të kësaj vizite, 3 janë çështjet kryesore që pritet të diskutohen nga Escobar dhe bashkëbiseduesit e tij:

Së pari, zgjedhjet lokale të 14 majit. Politika amerikane përmes të dërguarës së saj Yuri Kim e kanë bërë të qartë se politika shqiptare duhet të ketë kandidatë të pastër pa të shkuar kriminale. Po ashtu, duhet të bëjë kujdes edhe përsa i përket financimeve të kësaj fushate elektorale.

Së dyti, çështje për diskutim është marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë. Vetë Escobar në javët e shkuara ka qenë shtysë që kjo marrëveshje të mund të vendoset në zbatim sa më parë, ndërsa pritet të kërkojë nga autoritetet shqiptare dhe vetë kryeministri Edi Rama për ta vijuar mbështetjen për këtë marrëveshje dhe nxitjen e autoriteteve të Kosovës për zbatimin e saj.

Së treti, vizita e Eskobar ka të bëjë me një çështje të brendshme dhe shumë shqetësuese për Shqipërinë, siç janë sulmet kibernetike të Iranit.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës krahas asistencës në sulmin kibernetik përmes FBI-së ka ofruar edhe mbështetje financiare dhe teknike në shtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë ndaj sulmeve të ardhshme. Escobar do t’iu rikonfirmojë autoriteteve shqiptare mbështetjen e SHBA-së për t’u përballur me këto sulme në të ardhmen dhe natyrshëm për të shtuar kapacitetet mbrojtëse.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA