Presidenti Bajram Begaj ka reaguar sa i përket shpërthimit në Vaun e Dejës, ku një përfaqësuesi politik nga radhët e Rithemelimit iu vendos tritol në makinë gati një muaj para zgjedhjeve lokale.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Begaj – i shqetësuar nga zhvillimet – ka dënuar dhunën, si dhe nxit institucionet të marrën masa.
“Mësova me shqetësim mbi vendosjen e një sasie eksplozivi në automjetin në pronësi të Z.Bernard Ndreca, në Laç, Vau i Dejës. Dënoj me forcë aktet e dhunës ndaj cdo individi e ndaj aktivistëve politikë të çdo kahu. Nxis institucionet përgjegjëse të identifikojnë e të vendosin para ligjit personat përgjegjës”- tha Begaj.
Makina tip “Audi” e Kryetarit demokrat nga radhët e Rithemelimit, Benard Ndreca, ka shpërthyer sapo ai ka tentuar hipë në mjet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:10 të mëngjesit të kësaj të marte, ndërsa mjeti ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë. Policia thotë se nga shpërthimi Ndreca nuk ka pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale në makinën e tij.
Nga veprimet e para të policisë dyshohet se në mjetin e Ndrecës ishte vendosur lëndë plasëse, ndërkohë që grupi hetimor, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Top Channel