Veliaj: Këta që premtojnë se do i bëjnë të gjitha falas, nuk u paguanin as sigurimet shoqërore punonjësve

10/04/2023 15:11

Në prezantimin e planit të ri për pastrimin e qytetit të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj kujtoi se si 8 vjet më parë ndërmarrja e pastrimit ishte e zhytur në borxhe, kurse sot është një histori suksesi dhe mbulon me shërbim një qytet, i cili është rritur 29 herë nga viti 2015.

“Sot jemi në një moment tjetër për Tiranën, e cila nga 42 km katrorë në 2015, sot është rritur 29 herë. Por, ata që e kundërshtojnë progresin e Tiranës, vazhdojnë t’i bëjnë llogaritë me 2015-ën. Edhe pemët i llogarisin me 2015-ën, edhe kontenierët e mbetjeve i llogarisin me 2015-ën. Ata janë tetë vite mbrapa, ende nuk e kuptojnë se Tirana është rritur me 29 herë. Ne jemi tetë vjet përpara, që të sigurohemi që është 29 herë më e pastër seç ishte ajo Tirana jonë e vogël”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se në 2015-ën, ata që e kishin Tiranën, e lanë qytetin të mbytur ne borxhe.

“Sot jemi në një situatë ku nuk kemi asnjë borxh. I kam dëgjuar të pestë kandidatët, në një mënyrë apo një tjetër të gjithë thonë se çdo gjë do bëhet pa lekë. Është shumë kollaj ta thuash sot këtë. Por, kur e kishin ata detyrën për të pastruar qytetin, në ato 4 vitet e gjumit, nuk kishin paguar as sigurimet shoqërore për punonjësit e pastrimit. E gjetëm buxhetin e pastrimit me 60% borxhe. Pra, nga 100% që ishte total, 60% ishin borxhe. Kjo është si ajo puna e Nastradinit, që tha: ‘Sa e mësova gomarin pa ngrënë, zgjati një javë, dy javë, te java e tretë ngordhi dhe nuk e di pse’. Një mënyrë për t’i bërë të gjitha falas është të mos paguajë rrogat, të mos paguajë sigurimet shoqërore, të mos paguajë sigurimet shëndetësore, ta lerë Tiranën zhul, ta bëjë çdo gjë falas, hidhi plehrat gjithandej. Por, në fund na e lanë ne faturën, se dikush duhet t’i paguajnë këto,” deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se pas vitit 2015, Bashkia e Tiranës i pagoi borxhet e mbledhura që në vitin e parë. Ai tha se Bashkia e Tiranës do jetë e para që do i përgjigjet vendimit të qeverisë për rritjen e pagave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA