Lufta e pastër e UÇK-së/ Gjykimi në Hagë në sytë e një ish-luftëtari

10/04/2023 12:21

Rënia e Familjes Jashari në mars të vitit 1998 bëri që Kadri Kastrati të largohej nga Kroacia, ku shërbente si ushtarak, të linte gjithçka e të kyçej në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Fillimisht nga Tirana të stërviste ushtarë e vullnetarë që po ashtu ishin të gatshëm të luftonin për çlirimin e Kosovës. E kjo e gjitha me një qëllim, mbrojtjen e civilëve shqiptarë që po dëboheshin e masakroheshin nga forcat serbe.

“Kemi pasur me qindra dhe mijëra popullatë, civilë që në një mënyrë ose tjetër kemi qenë të ngarkuar dhe e kemi pas misioni që t’i mbrojmë me aq sa kemi mundësi”, thotë Kastrati.

Me gjithë kontributin e tij nga jashtë Kosovës, Kastrati thotë se u zhvendos në Podujevë për të shërbyer gjatë luftës në Zonën Operative të Llapit. Me të arritur në këtë zonë ai kujton një nga momentet se si ka përzgjedhur vullnetarët për të shkuar në Shqipëri për sigurimin e armatimit.

“Grupin e parë të rekrutëve që e kam pranuar nga civilët i kam përzgjedhë ata që fizikisht kanë qenë më mirë dhe i kam dërguar bashkë me Remin në Shqipëri për të marrë armë”, shprehet ish-ushtaraku i UÇK-së.

Për një ushtar që ka shërbyer edhe në ushtri të tjera, lufta për çlirimin e vendlindjes ka një kuptim tjetër. Një vullnet i fortë nga burrat e gratë që i ishin bashkuar UÇK-së, për Kastratin ishte e paparë më herët.

“Çdo ushtar e ka ditur që tankun mund ta ndalë edhe me pushkë e nuk është frikësuar fare”, thotë ai.

Për gjithë mundin dhe sakrificën që ka bërë ai dhe bashkëluftëtarët e tij është e rëndë që në këtë kohë të gjykohet lufta për çlirim.

“Mua më vjen shumë rëndë kur dëgjoj prokurorët që thonë që kanë burgosë kundërshtarë politik, kjo absolutisht nuk është e vërtetë dhe nuk ka pasur as edhe një element të tillë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri e popullit”, shprehet Kastrati.

Ushtaraku që shërbeu edhe në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e Forcën e Sigurisë, kërkon një gjykim të drejtë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi që lufta u bë vetëm për çlirimin e vendit.

Top Channel