Ish kryeministri Sali Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale kërkojë nga emigrantët të mos e humbin mundësinë e ardhjes në atdhe për zgjedhjet e 14 Majit.
“Këto janë zgjedhjet e jetës sonë, në kuptimin e asaj që ne ftohemi pas 32 vitesh te kutitë e votimit për të rivendosur pluralizmin dhe përmbysur monizmin. Në këtë kontekst, në këtë betejë, angazhimi i emigracionit, qoftë duke qartësuar rolin jetik që ka pluralizmi për shoqërinë shqiptare, qoftë duke marrë ato kursime që kanë për të ardhur për ët votuar, është i një rëndësie shumë të madhe. Me këtë rast i ftoj të gjithë emigrantët për të qenë më 14 maj në Shqipëri dhe për të votuar për pluralizmin”– u shpreh Berisha.
Megjithëse fokusi politikës shqiptare aktualisht janë zgjedhjet lokale, Sali Berisha shikon përtej tyre kur e krahason objektivin për rikthim në krye të Shqipërisë – pasi shqiptarët e larguan dy here, përmes votës, nga pushteti– me rikthimin e Steve Jobs, kur e hoqën nga puna.
“Rikthimi i tretë i Sali Berishës në qeverisje do jetë më i suksesshmi. Do e krahasoj edhe njëherë me Steve Jobs, i cili pasi e larguan nga ndërmarrja e tij, u rikthye dhe i bëri botës iPod, iPad dhe iPhone. Një rikthim i tretë do ketë momente kulmore, gjithçka në interes të shqiptarëve. Ne arritëm me ato reforma ekonomike që ju thoni, të kalojmë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Arritëm të jemi njerëzit më të paguar në Ballkan, madje më të paguar se bullgarët dhe rumunët. Objektivi ynë ishte të kapnim sllovenët se ata janë me rroga më afër me vendet e 15-shes së BE”- tha Berisha.
Top Channel