Gjykata Supreme ka liruar të dënuarin me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn i dënuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.  

Supremja hodhi poshtë për mungesë provash vendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt disa muaj pasi kjo e fundit e dënoi për vrasjen e kushërirës së tij.

Familjarët e Donjetës janë të zhgënjyer me vendimin e presin të ankohen edhe në Gjykatën Kushtetuese, pasi që më nuk kanë adresë tjetër.

“Nuk e di kurrkund në botë a ekziston ligj, ku dikush dënohet me burgim të përjetshëm tri herë, njëherë e merr dënimin 35 vjet edhe në fund merr këtë vendim. Veç gjykatat e Kosovës e bëjnë këtë”, tha Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjeta Pajazitaj.

Në anën tjetër, mbrojtja e Naser Pajazitajt thotë se nuk do duhej të kishte vendim tjetër në këtë rast.

“Prokuroria e ka dërguar ekzaminimin e kamerave në Ankara, të njëjtat janë kthyer dhe nuk kanë mundur të vërtetojnë se e ndjera Donjeta ishte në veturën e të pandehurit Naser. Po ashtu janë dërguar në FBI prova për ekzaminim dhe nuk janë përputhur me mostrat e ADN-së së Donjetës. Andaj asnjë provë konkrete që nga fillimi i procedurës nuk ka qenë dhe vendimi s’ka pasur si të jetë ndryshe”, tha avokati i Naser Pajazitaj, Ahmet Tahiri.

Vendimin e ka parë si të papranueshëm Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndërkohë nga Rrjeti i Grave të Kosovës thonë që vendimi i Supremes tregon qartë për mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë.

Naser Pajazitaj ishte i dënuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në Bjeshkët e Strellçit në Deçan në 2015. Sipas aktakuzës së ngritur më 2017 Naser Pajazitaj me dy plumba në kokë e kishte vrarë e më pastaj për të humbur gjurmët e tashmë të ndjerës, të njëjtën e kishte mbuluar me drunj dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Mirëpo, më 2018 Gjykata e Pejës e liroi nga akuza, vendim të cilin Gjykata e Apelit e rrëzoi dhe e ktheu rastin në rigjykim. Pas kësaj në 2019-ën Gjykata e Pejës e dënoi Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm, Apeli e uli dënimin e tij në 35 vjet, por të dy këto vendime i hodhi poshtë Supremja duke e kthyer rastin përsëri në rigjykim e duke ia kaluar lëndën Gjykatës Themelore të Ferizajt që më 2022 dënoi me burgim të përjetshëm përsëri Naser Pajazitajn.

Vendimi i fundit u Supremes për lirimin e Naser Pajazitajt nuk është publikuar ende.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA