Pas deklaratave të shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti se Kosova dhe Serbia janë marr vesh në Bruksel, për deklaratën rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë, kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, nuk beson në këtë marrëveshje.
Përmes një prononcimi për Telegrafin, Çerkini deklaron se nëse Hoti është shprehur që “Serbia pranoi deklaratën për personat e zhdukur me dhunë”, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç thotë të kundërtën.
Sipas Petkoviç, kjo çështje ka mbetur pezull dhe nuk ka asgjë definitive deri në nënshkrimin e marrëveshjes nga kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Ai ka thënë se Serbia ka pranuar, e Petkoviçi thotë që s’kemi pranuar dhe e kemi heq fjalën ‘me dhunë’. Edhe çka mbetet e pabesueshme është kur thonë ‘na jena dakordu, por duhet të vendosin Kurti me Vuçiqin’. D.m.th kjo ka mbet pezull dhe nuk ka asgjë definitive. Nuk besoj aspak hiç, deri të bëhet nënshkrimi i saj”, ka thënë Çerkini.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një postim në Twitter dhe kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti kanë bërë të ditur se Kosova dhe Serbia janë marr vesh për deklaratën rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë.
Top Channel