Festa e Ishmit/ 110-vjetorin e shkollës së parë shqipe në Durrës

05/04/2023 12:28

Në 110-vjetorin e shkollës së parë shqipe në Durrës, Ishmi ka çelur dyert e festës për banorët e zonës dhe të ftuarit e shumtë.

Treva e Ishmit, në këtë përvjetor ka kujtuar të gjithë ata që kontribuan për kulturën dhe lirinë, duke u mëkuar prej tyre dhe lënë gjurmë në historinë e vendit dhe më gjerë.

Festa e trevës së Ishmit, e organizuar nga shoqata me të njëjtin emër, nisi me përurimin e memorialit dhe sheshit “ABC” kushtuar shkollës së parë shqipe të çelur në Ishëm më 5 prill të vitit 1913. Më pas të pranishmit kanë nderuar të rënët në luftën për liri.

Festa ka vijuar me një koncert të ansambleve kulturore “Ibrahim Kodra” dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës, si dhe këngëtarëve Valbona Halili dhe Ervin Bushati.

Vëmendje të veçantë gjatë kësaj dite festive mori dhe panairi i produkteve të zonës së Ishmit, i cili pas një shkëputjeje disa vjeçare, kthen vëmendjen te një trevë plot tradita, kulturë dhe produkte të veçanta ku dallohet dhe shafrani i Kepit të Rodonit, zonës që njihet ndryshe dhe si shtëpia e hyut, perëndisë ilire të detit, Redonit

 

Top Channel