Pas njoftimit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se Finlanda sot bëhet zyrtarisht anëtare e aleancës, Rusia është vënë në lëvizje në terren.

Zëvendësministri i Jashtëm Aleksander Grushko bëri të ditur se po përforëcohen kapacitetet ushtarake ruse në rajonet perëndimore dhe veriperëndimore të vendit. Ky është reagimi i Moskës ndaj anëtarësimit të pritshëm të Finlandës në NATO, tha Grushko, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA.

Turqia, e cila ishte vendi i fundit anëtar që ratifikoi anëtarësimin e Finlandës, pritet të dorëzojë dokumentet për këtë në një takim të ministrave të Jashtëm në Bruksel dhe Helsinki është e ftuar të bëjë të njëjtën gjë. Përpara selisë së NATO, pasdite do të ngrihet flamuri i vendit të 31-të anëtar të aleancës ushtarake.

“Do të jetë një ditë e mirë për sigurinë finlandeze, për sigurinë nordike dhe për NATO-n në tërësi”, tha Stoltenbergu.

Në ceremoni do të marrin pjesë së bashku presidenti finlandez Sauli Niinistö, ministri i Mbrojtjes Antti Kaikkonen dhe i jashtëm Pekka Haavisto. Havisto e cilësoi këtë një moment historik dhe shtoi se për Finlandën, është e rëndësishme të nxisë stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë rajonin euroatlantik”.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pas sulmit rus në Ukrainë. Dëshira e tyre ishte që kjo të ndodhte në të njëjtën kohë, por ndërsa Turqia dhe Hungaria ia dhanë Finlandën dritën jeshile, ato kanë bllokuar nga ana tjetër avancimin e Suedisë dhe anëtarësimi në NATO kërkon miratimin e të 30 shteteve anëtare.

Top Channel