Mijëra qytetarë në Kosovë iu bashkuan thirrjes për marshin e solidarizimit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, që pritet gjykohen në Hagë për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.

Nën sloganin “Marshi për drejtësi” aktivistë, qytetarë dhe forca politike të të gjitha krahëve iu bashkuan thirrjes për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Qytetarëve iu drejtua edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se ata do të rikthehen fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë.

“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë.”

Flaka Fazlia, vajza e dëshmorit Fatmir Fazlia tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizatë Çlirimtare dhe bota nuk duhet t’ia lejojë vetes që në emër të drejtësisë të dënojë njerëz të pafajshëm.

“UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe nuk është në asnjë formë organizatë kriminale, por një organizatë çlirimtare. Pjesëtarët e UÇK-së ishin njerëz, të cilët dënesën e dhimbjeve tona kolektive, e kthyen në zë të fuqishëm, të cilin e dëgjoi e gjithë bota, e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe BE. Bota nuk duhet t’ia lejojë vetes që në emër të drejtësisë të dënojë njerëz të pafajshëm”.

Ish-ushtari i UÇK-së, Kjani Guri, tha se liria e Kosovës ka emrin e sakrificës, martirëve, heronjve tanë dhe të UÇK-së.

Jemi sot bashkë këtu për të kërkuar drejtësi. Për të mbrojtur me këmbëngulje historinë tonë të lavdishme. Në UÇK kanë qenë bijat dhe bijtë tanë më të mirë, të cilët luftuan për lirinë e Atdheut. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët, nuk janë emra të përveçëm, por janë historia jonë, të cilën nuk do ta lejojmë të rishkruhet”. 

Nga fshati i lindjes së Thaçit në Burojë me nismën u solidarizua dhe nëna e Hashim Thaçit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përshëndeti marshin e qytetarëve në Prishtinë në mbrojte të ish-drejtuesve të UÇK-së. Shefi i qeverisë shqiptare ndau foto në faqen e tij zyrtare “Facebook”, ndërsa i shoqëroi me mbishkrimin “me marshin e drejtësisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA