Nuk i përgjigjet në asnjë formë pritshmërve, KRIIK shpreh shqetësimin për nivelin e përgjegjshmërisë nga klasa politike aktuale

28/03/2023 16:34

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), në vazhdën e angazhimit të tij konstant për monitorimin e integritetit të procesit zgjedhor, i cili lidhet ngushtësisht e së pari me tërë situatën politike e institucionale që i paraprin, shpreh shqetësimin e tij për nivelin e përgjegjshmërisë, maturisë dhe dialogut politik e institucional të deritanishëm të treguar dhe zhvilluar nga klasa politike aktuale, i cili nuk i përgjigjet në asnjë formë aspiratave, pritshmërive dhe interesave të qytetarit të thjeshtë shqiptar dhe vendit.

KRIIK sjell në vëmendje të të gjithë opinionit publik, përfshi partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë të Shqipërisë, se këto zgjedhje në pikëpamje të ofertës elektorale dhe produktit që pritet prej tyre duhet të jenë dhe të mbeten tërësisht të natyrës administrative e lokale.

Por në të njëjtën kohë, ndryshe nga sa propogandohet gjerësisht, në pikëpamje të kontekstit dhe angazhimit tërësor e me çdo mjet të maxhorancës, këto zgjedhje konstatohet se janë në të vërtetë shumë më tepër se politike.   Kjo konsideratë përforcohet veçanërisht në pikëpamje të përvojës demokratike që po krijon ky proces zgjedhor[i], kontekstit në të cilin po zhvillohet[ii], përvijimit të marrëdhënieve politike e institucionale, si dhe adresimit të sfidave madhore të kërkuara për tu përmbushur nëpërmjet raporteve të ODIHR[iii], Parlamentit Europian[iv], Departamentit të Shtetit[v] apo edhe të institucioneve të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Procesi Zgjedhor i 14 majit 2023, është i treti[vi] i mbajtur pas krizës politike 2017-2020, Marrëveshjes Politike të 5 Qershorit 2020 dhe amendimeve të rëndësishme të Kodit Zgjedhor që pasuan, ku një pjesë e tyre u krye në mënyrë të njëanshme prej maxhorancës, përfshi ndryshimin në Kushtetutë të rregullave të lojës.

Ky proces zgjedhor vjen pas dështimit të deritanishëm të mënyrës së të bërit politikë prej aktorëve politikë e vendimmarrës;  të aftësisë për të zhvilluar përgjegjësitë politike e institucionale në funksion të një dialogu të vërtetë i cili duhet të zhvillohet së pari në sallën e parlamentit;  të ndërmarrjes së reformave madhore sikurse u premtua për këtë legjislaturë, duke shënuar turpshëm dështimin e reformës administrativo-territoriale dhe të reformës zgjedhore[vii];  të mundësisë për një funksionim normal të Parlamentit të Shqipërisë, Institucionit më të Lartë të Republikës i cili ushtron dhe përfaqëson sovranitetin e popullit shqiptar.

Këto zgjedhje afektohen drejtpërdrejt edhe nga mbajtja në një kontekst paqëndrueshmërie të skenës politike, përsa kohë që tërë sistemi politiko-institucional është ngritur mbi bazën e parimit të balancës politike të dy forcave më të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, i shtrirë ky në tërë kapilarët e shtetit në vend, duke mos lënë në asnjë çast hapësirën e nevojshme për rritjen dhe konsolidimin e institucioneve dhe të shtetit ligjor, sikurse aspironte Kushtetuta e Republikës e miratuar me referendumin popullor të 1998-ës.

Situata e komplikuar në kampin e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike, e cila ka në thelb problemin e demokracisë së brendshme, problem i cili manifestohet gjerësisht në të gjitha partitë politike në vend, përshirë Partinë Socialiste, duket se do të ketë impaktin e saj në administrimin e procesit zgjedhor, konkretisht në pikëpamje të besueshmërisë që do të manifestojë procesi pas vështirësisë konkrete për të balancuar politikisht me komisionerë komisionet e administrimit të nivelit të dytë dhe të tretë, sikurse u evidentua gjatë Zgjedhjeve të Pjesshme Vendore të 6 marsit 2022.

Në këtë kontekst politik e institucional të agravuar e të vazhdueshëm, ku përgjegjësia është tërësisht e klasës politike, veçanërisht e partive parlamentare dhe lidershipit të tyre,  duket se lidershipi i partive politike kryesore ka nisur sërish turra-vrapin elektoral për të legjitimuar në zgjedhjet e rradhës establishmentin politik si dhe dominancën në pushtet. Veçanërisht maxhoranca socialiste, e cila duket se nuk do që të ndalet, por do të fitojë/mbajë me çdo kusht pushtetin, pavarësisht kostove dhe praktikës negative që krijon dhe shënjon në përvojën demokratike të institucioneve dhe demokracisë në vend.

Ndërkohë, qytetari shqiptar në funksion të të cilit dhe për interes të të cilit është ngritur tërë sistemi politiko-juridiko-kushtetues që legjitimohet përmes zgjedhjeve të lira e të pandikuara, është duke u përballur përditë me pasigurinë, korrupsionin galopant dhe kriminalitetin e lartë.

Nevojitet të sillen vazhdimisht në vëmëndje një sërë problemesh thelbësore për shtetin demokratik dhe sistemin demokratik që Shqipëria ka, si: mungesa e lirisë së medias[viii], presioni ndaj mediave nga ana e Qeverisë[ix], përdorimi i medias nga ana e pronarëve dhe grupeve kriminale në mënyrë të paduhur[x]; mungesa e pavarësisë së gjyqësorit[xi], korrupsionin endemik dhe sistematik[xii], fenomemin e përdorimit të burimeve shtetërore për përfitim elektoral përgjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021[xiii], cënimin e lirive, të drejtave politike dhe të vullnetit të lirë të zgjedhësve në zgjedhje[xiv], etj.

KRIIK si një aktor i cili e ka nisur monitorimin e këtij procesi zgjedhor që prej shpalljes së dekretit të Presidentit të Republikës, gjen rastin t’i bëjë thirrje lidershipit dhe të gjithë partive politike, si dhe funksionarëve publikë që të reflektojnë, marrin përgjegjësitë e duhura duke treguar vizion e pjekuri politike.  Sovraniteti dhe pushteti i takon qytetarëve. Zgjedhjet gjithashtu.

Politika duhet të konkurrojë përpos ofertave elektorale, me cilësinë e integritetit të procesit, garës elektorale që ndërton dhe kushtet reale në të cilat fton të shprehet vullneti vetëvendosës dhe i pacënuar i të gjithë qytetarëve.

Zgjedhjet Vendore të 14 majit duhet domosdoshmërisht të mbahen me integritet dhe legjitimitet të plotë, si një kërkesë në dobi të qytetarëve në rradhë të parë, por edhe në përligjje të angazhimeve ndërkombëtare të marra nga Shqipëria si Anëtar i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, apo edhe si procesi i parë zgjedhor i organizuar pas çeljes zyrtare të negociatave me Bashkimin Europian.

Tashmë figurojnë të rregjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 47 parti politike[xv], gjashtë prej të cilave janë grupuar në dy koalicione[xvi].

Klima e tensionuar politike, si dhe problematika brenda partisë më të madhe opozitare, zhvendosën vëmendjen nga oferta elektorale që partitë duhet të prezantonin, duke filluar së pari me kandidatët e më pas edhe me platformat elektorale të vetëqeverisjes vendore për secilën bashki, këto të fundit të munguara prej kohësh.

KRIIK është ndër aktorët që ka bërë vazhdimisht thirrje para çdo procesi zgjedhor, duke iu bashkuar kërkesës dhe nevojës së qytetarëve për të patur kandidatë të cilët gëzojnë integritet të plotë moral, ligjor dhe profesional, si dhe kapacitetin e nevojshëm për të marrë përsipër e zhvilluar përgjegjësitë e të zgjedhurit vendor.

Ashtu sikundër ka vënë theksin edhe në rëndësinë që këta kandidatë, qoftë ata për kryetar bashkie, qoftë ata për anëtarë të këshillave bashkiakë, të legjitimohen nëpërmjet forumeve demokratike brenda partive politike, sikurse parashikon fryma e gërma e Kushtetutës.

Por pavarësisht qëndrimeve konstante të qytetarëve dhe aktorëve vendas, përfshirë edhe partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë, deri më tani nuk është bërë asnjë transparencë e plotë mbi procesin dhe kandidaturat e përzgjedhura. Madje nga sa është bërë publike, nga maxhoranca duket se disa kandidatura janë (ri)kandiduar pavarësisht standardit dhe pritshmërive të vendosura e të legjitimuara nga tërë konteksti i përshkruar më sipër.

Në këtë kuadër, duke marrë në konsideratë parimet kushtetuese, standardet ligjore e demokratike, pritshmëritë ndaj vlerave euro-atlantike, problematikat e sipërpërmendura e sfidat që ka vendi, si dhe nisur nga përvoja e KRIIK në analizat e proceseve të mëparshme zgjedhore,

u bëhet thirrje partive politike dhe subjekteve zgjedhore që në ndërtimin e ofertës elektorale për qeverisjen vendore të vendit të marrin në konsideratë:

§  Dhënien e vëmendjes së duhur, hapësirës së plotë dhe mbështetjen pa rezerva të legjitimimit, së pari gjatë fushatës elektorale dhe, më pas, funksionimit real të vetëqeverisjes vendore përgjatë mandatit të ardhshëm 2023-2027;

§  Ndërtimin e programeve konkurruese elektorale vendore, të përshtatura sipas specifikave të nevojave, kapaciteteve dhe perspektivave të zhvillimit të secilës bashki, duke materializuar aty vizionin dhe interesat më të mira të komunitetit, të konsultuara paraprakisht, në mënyrë domethënëse, gjithëpërfshirëse e të vërtetë me komunitetet lokale respektive;

§  Vlerësimin real të komunitetit lokal në çdo bashki, duke zgjedhur dhe promovuar kapacitetet lokale ekzistuese, e zgjedhur prej tyre kandidatët më të mirë për drejtimin e organeve të nesërme të qeverisjes vendore.

Një qasje e tillë është jo vetëm konform frymës dhe gërmës së Kushtetutës[xvii], por nga ana tjetër nxit dhe siguron jetësimin e parimeve të demokracisë vendore, zhvillimin dhe vlerësimin e kapaciteteve lokale partiake dhe politike, si dhe jetësimin e të bërit politikë dhe të mbajtjes gjallë të demokracisë në lokalitet dhe në brendi të vetë partive politike;

§  Heqjen dorë nga mbajtja peng e qeverisjes dhe demokracisë vendore, nëpërmjet të katapultuarve nga partia në qëndër të atyre individëve kandidatë,  të cilët, megjithëse mund të jenë me origjinë nga bashkia ku kërkojnë të kandidojnë, kanë kohë e vite që e kanë ndërtuar jetën në kryeqytet apo jashtë vendit dhe nuk kanë asnjë lidhje të vërtetë me komunitetin[xviii], përpos lidhjes së ngushtë si përfaqësues i besuar dhe me lidhje të drejtpërdrejtë me lidershipin e partisë politike përkatëse, apo edhe i interesave të ngushta politike apo private të këtyre të fundit.

Kjo lloj qasjeje në vite ka krijuar edhe situata qesharake, njëkohësisht edhe fyese për komunitetin, kur kandidatë të tillë dhe familja e tyre nuk kanë patur mundësi as të votonin për vetën e tyre, pasi nuk figuronin në listën e zgjedhësve. Kjo, pasi zhvendosja e vendbanimit prej tyre nga kryeqyteti në bashkinë ku kandiduan, është bërë pas hartimin përfundimtar të listës së zgjedhësve[xix].

§  Reflektimin në listën e kandidatëve të këshillave bashkiakë të diversitetit të njerëzve të popullsisë lokale, si përfaqësues, njëkohësisht rezidentë, të njësive administrative përbërëse të bashkisë, duke respektuar e zbatuar realisht parimin e barazisë dhe të mosdiskriminimit.

Partitë politike duhet të sigurojnë që kandidatët potencialë të mos diskriminohen në asnjë rast për shkak të racës, gjinisë, përkatësisë etnike, religjionit apo ndonjë karakteristike tjetër.

Procesi zgjedhor për Organet e Qeverisjes Vendore është shembulli më i mirë për materializimin e tërë angazhimeve dhe detyrimeve të ndërmarra nga shteti shqiptar për të siguruar pjesëmarrjen demokratike, e ku të mund të bëhet realitet dëgjimi në procesin politik i të gjithë zërave në shoqëri;

§  Mospërfshirjen në listën e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë të individëve të cilët janë titullarë apo zyrtarë në institucionet qëndrore, apo atyre me varësi qëndrore, pasi kjo përbën de facto kapje dhe një dirigjim i drejtëpërdrejtë i polikave lokale, nga politika qëndrore e qeverisë, në kundërshtim me të gjitha parimet, aspiratat dhe parashikimet kushtetuese e europiane të demokracisë dhe autonomisë vendorë;

§  Ndërtimin e tërë fushatës elektorale përgjatë 30 ditëve të parashikuara nga ligji, duke mbështetur dhe promovuar programet elektorale lokale të prezantuara dhe mbrojtura në mënyrë të drejtëpërdrejtë prej kandidatëve për kryebashkiakë dhe atyre si anëtarë të këshillave bashkiakë, pa dallim;

§  Nxitjen e pjesëmarrjes aktive dhe konkrete në fushatë elektorale të të gjithë kandidatëve në listën e anëtarëve të këshillave bashkiakë, nën prezumimin se çdonjëri prej tyre do të fitojë të nesërmen e zgjedhjeve pavarësisht renditjes në listë, duke u kujdesur që të sigurohet veçanërisht promovimi i kandidateve gra, si dhe mbështetja financiare e nevojshme, në mënyrë të barabartë, nga fonde dhe burime të partisë përkatëse politike;

§  Shmangien e kandidimit fiktiv si për kryetar bashkie, por veçanërisht për anëtar të këshillit bashkiak.

Plotësimi fiktiv i listave të kandidatëve, me qëllimin që një ose disa kandidatë të marrin pjesë në garë me formatin e një partie politike është praktikë e kundërligjshme zgjedhore, sepse cënon parimin e konkurrueshmërisë dhe barazinë e palëve në garë[xx].

Partitë politike duhet të bëjnë përpjekje maksimale dhe të ndalin kandidimin për të njëjtin Këshill Bashkiak të personave me lidhje familjare të shkallës së parë, pasi Ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore” parashikon se nuk mund të jenë anëtarë të të njëjtit këshill personat nga e njëjta familje[xxi]. Kandidimi, pavarësisht këtij ndalimi ligjor, në kushtet praktike të njohjes paraprakisht të pamundësisë për tu zgjedhur në mënyrë të njëkohshme të anëtarëve të së njëjtës familje, e vë partinë politike dhe kandidatin në kushtet e kandidimit fiktiv.

Sillet në vëmendje se nga vëzhgimi i bërë listave të kandidatëve në zgjedhjet vendore të vitit 2019 rezultoi se ky detyrim ligjor nuk u respektua nga asnjë parti politike[xxii] pjesëmarrëse, pasi jo vetëm që rezultuan kandidatë për të njëjtin këshill, por edhe për të njëjtën parti politike.

§  Sigurimin e pastërtisë e figurës së çdo kandidati duke siguruar paraprakisht, përpara dërgimit të emrit si kandidat, së paku, për zbatimin e ligjit të ashtuquajtur të dekriminalizimit[xxiii] .

Në gjykimin e KRIIK është i papranueshëm deklarimi i zyrtarëve të mazhorancës për një proces të pamundur filtrimi paraprak të kandidatëve të ofruar. Mbledhja dhe përpunimi paraprakisht i formularëve të vetdeklarimit[xxiv], apo filtrimi paraprakisht i informacioneve që mund të mblidhen apo zotërohen nga databaza e gjerë me informacione mbi aktivistët dhe simpatizantët, sikurse është pranuar se zotërohet prej partive politike, është një mundësi e cila duhet shfrytëzuar maksimalisht për të mos kandiduar kandidatura të papërshtatshme, e thyer më pas besimin e qytetarëve tek oferta elektorale, partia politike apo edhe tek institucioni për të cilin kandidohet.

§  Sigurimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve dhe bërjes së transprancës së plotë dhe paraprakisht lidhur me ekzistencën ose jo për ta të informacioneve në dokumentet të ish-Sigurimit të Shtetit.

Pavarësisht se gati tërë partitë politike progandojnë përditë rëndësinë e procesit të shkëputjes nga e shkuara, nëpërmjet bërjes transparencë e zbardhjes së të vërtetës, nga informacioni i marrë nga KRIIK pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, rezulton se nuk është depozituar asnjë kërkesë prej asnjë prej partive politike.

KRIIK nxit partitë politike që të investojnë vetë drejtpërdrejt Autoritetin përsa iu përket kandidatëve për Kryetarë Bashkie, sikurse ligji parashikon[xxv].

Ndërkohë, partitë politike duhet të nxisin edhe të gjithë individët e kandiduar për anëtarë të këshillave bashkiakë që, në emër të transparencës dhe rëndësisë së informimit të publikut, të investojnë personalisht Autoritetin dhe bëjnë vetë publike konkluzionet e verifikimit të tyre.

§  Ofrimi dhe sigurimi i transparencës është jetike për një demokraci pjesëmarrëse e funksionale. Veçanërisht në periudhën zgjedhore fryma e kërkuar e transparencës merr një trajtë më të gjerë.

Në kundërshti më këtë frymë, sillet në vëmendje se proceset zgjedhore në vend kanë vuajtur gjithnjë e më shumë nga mungesa e diskutimeve mbi ofertat elektorale dhe mbi profilet e kandidatëve që konkurrojnë.

Në këtë kuadër merr një vlerë të veçantë informimi sa më i mirë i qytetarëve lidhur me kandidatët, jo vetëm mbi pastërtinë e figurës, por edhe mbi edukimin dhe angazhimet[xxvi] e tjera që ata kanë patur, duke plotësuar me detaje të plota jetëshkrimin (CV) e tyre.

Ky informim merr një vlerë të shtuar për kandidatët për anëtarë të këshillave bashkiakë të cilët do të kenë një angazhim të pjesshëm në këshill, ndërkohë që qytetarët duhet medoemos të kenë informacion paraprak mbi angazhimet e tjera që kandidatët kanë patur më përpara apo në kohën kur kandidojnë për tu bërë anëtarë të “parlamentit lokal”.

§  Partitë politike të angazhohen për të informuar në detaje secilin prej kandidatëve, qoftë atë për kryetar bashkie, qofte atë për anëtar të këshillit bashkiak, për detyrimet ligjore që ata mbartin dhe duhet të përmbushin duke dorëzuar raport individual, në të cilin do të bëjnë transparencë mbi çdo burim financiar dhe shpenzim që do të kryejnë për efekt të fushatës zgjedhore.

Theksohet se ndryshe nga sa ka ndodhur më parë, kuadri rregullator ligjor dhe praktika ligjzbatuese e KQZ-së, si dhe vendimmarrja e KAS ka sanksionuar përfundimisht se nuk mund të pranohen kandidatë pa shpenzime apo me shpenzime zero.

Fushata zgjedhore është e lidhur pazgjidhshmërisht me kryerjen e shpenzimeve për veprimtaritë në fushatë. Të gjitha veprimtaritë kanë kosto, e cila duhet të evidentohet dhe të raportohet si shpenzim si kur mbulohet nga vetë kandidati ose subjekti zgjedhor nga të ardhurat e veta, si kur mbulohet nga financimi buxhetor, si kur mbulohet nga donacionet në të holla ose në natyrë[xxvii].

Në përfundim u bëhet thirrje të gjithë kandidatëve që, si përfaqësues të ofertës elektorale që mbartin besimin e anëtarësisë dhe partisë respektive politike, të marrin përgjegjësitë e duhura duke reflektuar mbi rekomandimet e bëra për tu angazhuar maksimalisht përsa ligji parashikon, por edhe për tu investuar maksimalisht me vullnet personal në funksion të mirëzbatimit të ligjit dhe ofrimit të transparencës maksimale për gjitha sa është në interes të qytetarëve dhe opinionit publik, veçanërisht lidhur me pastërtinë dhe integritetin e figurës së tyre, si dhe të përvojës profesionale të tyre.

[i] Probleme lidhur me listat e zgjedhësve, regjistrin, të dhënat personale, intimidimin e administratës, përdorimin masiv të burimeve shtetërore, etj.

[ii] Braktisja e Parlamentit dhe e Zgjedhjeve të vitit 2019 prej opozitës, përqëndruan tërë pushtetet në duart e maxhorancës. Ndërkohë, opozita e konsideroi procesin Zgjedhor 2021 si një masakër elektorale (shih këtu prononcimin e Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha për TV ABC News Albania). Sillet në vëmendje gjithashtu nisja e punës dhe ngecja e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi Zgjedhjet e vitit 2021.

Top Channel