Nuk kanë vonuar reagimet ndaj ngjarjes së rëndë të orëve të para të ditës së sotme kur persona të panjohur qëlluan me armë zjarri në drejtim të ndërtesës së televizionit kombëtar Top Channel, duke lënë të vrarë një roje sigurie.

“Mbetëm të shokuar kur mësuam se ka pasur një sulm me armë zjarri në ambientet e Top Channel në #Shqipëri, ku humbi jetën një roje sigurie e objektit. I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të pavarura dhe profesionale”, thuhet në një postim në Twitter të Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias.

Por përmes kësaj platforme, Safe Journalist Albania përcolli mesazhin e Media Freedom Rapid Response, mekanizmit evropian që gjurmon monitoron e reagon ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit në vendet e BE-së. “Mendimet tona janë me familjen e rojës së sigurisë që humbi jetën në sulmin tragjik ndaj ambienteve të Top Channel në Shqipëri. I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të kryejë hetime të plota dhe të paanshme për këtë incident dhe të nxjerrë autorët para drejtësisë”, thuhet në postim.

Ndaj ngjarjes së rëndë reagoi dhe shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” e cila tha se sulmi ndaj Top Channel, rëndon klimën në të cilën punojnë gazetarët në Shqipëri .

“Dënojmë me forcë sulmin terrorist me armë në orët e para të mëngjesit të sotëm ndaj televizionit kombëtar Top Channel, gjatë të cilit humbi jetën roja i sigurisë. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehin solidaritetin e plotë me kolegët e gjithë komunitetin e Top Channel dhe i përcjellin ngushëllimet më të ndjera familjarëve të të ndjerit Pal Kola. Shoqata u bën thirrje agjencive ligjzbatuese për hetime të sa më të shpejta dhe transparente mbi këtë ngjarje tronditëse për gjithë komunitetin e gazetarëve”, thuhet ndër të tjera në reagimin e saj.

Top Channel