“Sulm kundër demokracisë”/ Përfaqësitë diplomatikë në Shqipëri reagojnë për sulmin ndaj Top Channel

27/03/2023 11:28

Përfaqësitë diplomatike në Tiranë kanë dënuar dhe shprehur shqetësim për sulmin ndaj Top Channel.

Ambasada e SHBA në Tiranë thotë se “dënon me forcë sulmin vdekjeprurës ndaj Top Channel dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. Nxisim agjencitë ligjzbatuese të kryejnë një hetim tërësor që do të nxjerrë përgjegjësit përpara drejtësisë”.

Reagoi edhe Ambasada Britanike. “Shprehim tronditjen mbi incidentin e dhunshëm në Top Channel dhe shpresojmë që përgjegjësit të dalin sa më parë përpara drejtësisë. Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me familjen e viktimës dhe të gjithë personat e prekur”, thotë selia diplomatike e Londrës në Tiranë.

“Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik”, thotë misioni OSBE-s në Tiranë.

Një sulm i tillë flagrant  kundër medias është sulm flagrant kundër demokracisë. Prezenca e OSBE-së u bashkohet thirrjeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit për një hetim të shpejtë e të plotë të incidentit dhe pret që autorët dhe motivet e plota të këtij sulmi të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë.

Top Channel