Transporti publik në Gjermani rrezikon të paralizohet sot nga një grevë masivë e organizuar prej dy sindikatave më të fuqishme në vend: Ver.di dhe ajo e transportit dhe hekurudhave, EVG.
Autobusët dhe trenat nuk do të lëvizin nga vendi e pothuajse në të gjitha aeroportet gjermane, avionët nuk do të ngrihen në ajër. Trafiku ajror në Frankfurt, Mynih pezullohet i gjithi. Në grevë janë sot edhe shumë aeroporte të tjera si Hamburgu, Laipzigu, Halle, Drezden, Dyseldorf, Kölni e Dortmundi.
Vetëm aeroporti i Berlinit do të jetë në funksion, por edhe aty do të ndjehen pasojat e grevës. Përfaqësuesja e negociatave në komuna, Karim Welge i kritikoi sindikatat për këtë lëvizje, duke thënë se “e drejta e grevës po përdoret në mënyrë të tepruar”. Ajo u shpreh e zemëruar” që sindikatat e shkallëzojnë situatën, duke theksuar se “ky nuk është toni negociues që ne përdorim”.
Edhe Deutsche Bahn, Hekurudha Gjermane kritikoi sindikatat duke e quajtur grevën “tërësisht të ekzagjeruar e të panevojshme” dhe kërkoi kthimin e tyre në tryezën e bisedimeve. Kërkesat e sindikatës së shërbimit publik ver.di janë për 10,5% më shumë rrogë mujore kurse ajo e sindikatës së Trafikut dhe Shinave, EVG për 12,5% më shumë rrogë mujore për të kompensuar inflacionin e lartë, që vitin e kaluar arriti në gati 10%.
Verdi përfaqëson rreth 2.5 milionë punëtorë në sektorin publik të Gjermanisë, ndërsa EVG përfaqëson rreth 230.000 punëtorë.
Top Channel