Deputetja e PD-së Flutura Açka ka reaguar për sulmin terrorist ndaj Top Channel, ku si pasojë humbi jetën një punonjës i sigurisë.
Sipas saj kjo ngjarje duhet të vërë në alarm Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit për të mbrojtur punonjësit e medias dhe jetën e çdo shqiptari.
“Sulmi i orëve të para mbi TOP Channel është një ngjarje e rëndë, që çoi në humbjen e jetës së punonjësit të sigurisë Pal Kola. Pak javë më parë u sulmuan pabesisht një ekip xhirimi të programit investigativ “Fiks fare” në zhavorrishtet e lumit të Tiranës.
Ngjarjet e përsëritura janë shqetësuese dhe duhet të vënë në alarm Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit në mbrojtje të punonjësve të medias dhe të jetës së çdo shqiptari.
Si Kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik e dënoj ashpër sulmin dhe kërkoj që organet kompetente ta zbardhin shpejt ngjarjen dhe autorët e saj.
Ngushëllime të ndjera familjes dhe mbështetje pa kushte për TOP Channel”.
Top Channel