“Amnistoni shqiptarët e ndershëm në Angli”, Çuçi: Rregulloni emigracionin e ligjshëm!

27/03/2023 11:32

Qeveria shqiptare kërkon amnisti për shqiptarët “të ndershëm” që ndodhen ilegalisht pa viza në Britaninë e Madhe, si pjesë e marrëveshjes për frenimin e trafikantëve të njerëzve dhe emigracionit të paligjshëm.

Daily Telegraf shkruan se ministri i brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi ia drejtoi këtë apel homologes britanike Suella Braverman gjatë bisedimeve që pati ballë për ballë me të, në vazhdën e vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, të zhvilluar bashkë me kryeministrin Edi Rama.

Problemi i migracionit të paligjshëm, u shpreh Çuçi, nuk mund të adresohet nëse Londra zyrtare nuk përmirëson mënyrën se si trajton emigracionin e rregullt. Ministri kërkoi një lehtësim të regjimit të vizave të punës në Angli me qëllimin të lejohen më shumë shqiptarë që të hyjnë atje në mënyrë të ligjshme për arsye punësimi, duke përfshirë këtu punësimin sezonal, si dhe një amnisti për ata që ndodhen tashmë atje.

“I kërkova Suella Braverman-it të rishikonte  mënyrat sesi mund të lehtësohet punësimi i ligjshëm për shqiptarët që kërkojnë të punojnë në Britaninë e Madhe”, citohet të ketë thënë ai. “Në këtë kontekst, i kërkova një amnisti për të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe pa precedentë penalë që ndodhen atje pa vizë. Shqiptarët janë një komunitet vital dhe i mirë integruar në Mbretërinë e Bashkuar.  Është e papranueshme të veçohet ky komunitet të veçohet e të kthehet në stereotip vetëm për shkak të disa personave problematikë”, ka shtuar ai.

Një burim pranë Braverman tha se: Sekretarja e brendshme e ka mirëpritur takimin me Çuçin ku u diskutuan marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me Shqipërinë.  Ajo shpjegoi se britanikët gjithmonë do t’i mirëpresin shqiptarët që udhëtojnë në rrugë të ligjshme drejt Anglisë dhe e dëgjoi me interes propozimin e tij.

Shqiptarët përbëjnë rreth një të tretën e 45,700 njerëzve që mbërritën ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla nëpërmjet Kanalit të La Manshit vitin e kaluar.

Top Channel