Rama pret Kurtin në Tiranë/ Kosova kërkon mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare

26/03/2023 19:40

Fundjava solli në Tiranë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i cili u prit nga përfaqësuesit e lartë të shtetit shqiptarë.

Së pari, për negociatat me Serbinë, ai informoi presidentin Bajram Begaj, e më pas u zhvendos disa metra më tej në kryesinë e kuvendit ku u prit nga kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla, ndërsa një bisedë më të gjatë pati kokë më kokë me kryeministrin Rama këtu në vilën qeveritare.

“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizimin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ka mbështetjen time të plotë”, tha Rama.

“Kam besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme për palët ndërkombëtarisht”, tha Begaj.

Nga ana tjetër kryeministri Kurti theksoi vendosmërinë e qeverisë së Kosovës për të cuar përpara dialogun me Serbinë dhe dha sigurinë për zbatimin e planit europian. Ndër të tjera, u njoftua se kjo vizitë do të pasohet me mbledhjen e ardhshme të dy qeverive në qershor.

Top Channel