Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit i hap rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE-së. Por Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që lidhen me anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Prishtina zyrtare i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që ta penalizojë Serbinë për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit, pasi Presidenti serb Vuçiq tha se “nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, kurse të tjerat po.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ka thënë se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë. Këtë deklaratë sekretari Blinken e bëri para Senatit amerikan, pas një pyetjeje që ju bë lidhur me përpjekjet e tij për t’i bindur pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën.
“Sigurisht është një çështje që vazhdojmë ta ngremë, por unë mendoj gjithashtu se kjo marrëveshje, nëse ecën përpara në fakt na vendos në një rrugë drejt njohjes nga këto vende”, tha Sekretari Blinken. Sipas tij, meqenëse “të dyja vendet kanë rënë dakord në parim që ta bëjnë një gjë të tillë, është që këto angazhime janë pjesë e planeve të të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, prandaj shpresoj që kjo të jetë një nxitje që ato t’i zbatojnë abgazhimet”.
Blinken: Njohja e Kosovës nga Serbia do të kërkojë kohë
Sekretari Blinken, pranoi se njohja e Kosovës nga Serbia është tjetër çështje që do të dojë kohë, “por nëse ato arrijnë në një marrëdhënie të normalizuar, kjo do të kishte një efekt pozitiv dhe besoj se me kalimin e kohës do të arrijmë në atë pikë, por mendoj se për pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, fakti që këto vende (Kosova dhe Serbia) kanë arritur marrëveshjen dhe duke supozuar që do ta zbatojnë, kjo do t’i shtyjë ato drejt njohjes”.
Pas takimit të 18 marsit në Ohër, menjëherë sapo shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel dhe zyrtarët e lartë amerikanë, deklaruan se zbatimi i aneksit të marrëveshjes për normalizim që Kosova dhe Serbia u pajtuan në Ohër është ligjërisht i detyrueshëm, filluan përplasjet në distancë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ishte një deklaratë e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën nuk ka ndryshuar, por ripërsëriti se Beogradi “nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.
Ka apo nuk ka marrëveshje?
“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të raporteve, pa tensione dhe pa konflikte, Serbia do t’i zbatojë”, deklaroi Vuçiq në Beograd. Kjo deklaratë e tij, nxiti reagimin e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, e cila tha se “pa kaluar 24 orë nga pajtimi për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, Beogradi deklaroi se nuk do ta zbatojë atë”. Presidentja i bëri thirrje “komunitetit ndërkombëtar që ta drejtojnë “presionin mbi Serbinë” që të respektojë detyrimet që ka marrë nga marrëveshja bazë e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe nga aneksi, për të cilën palët u dakorduan në Ohër më 18 mars.
“Mendoj që të gjitha përpjekjet, i gjithë presioni, angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë pikërisht te Vuçiqi që ato për të cilat ai është dakorduar, që në esencë përbëjnë njohje de facto të Kosovës, sepse kur ja njeh dikujt sovranitetin, kur e njeh si të barabartë në relacionet ndërshtetërore, kur ja njeh dikujt integritetin territorial, këto janë elementet shtetërore të shtetësisë. E vetmja që mungon është një letër njohjeje të cilën nuk e ka nënshkruar”, tha Osmani. Sipas saj, “përderisa Vuçiqi refuzon t’i zbatojë këto, atëherë kjo vërtetë rrezikon gjithçka”.
Kurti: Tani BE-ja duhet të tregojë veten
Edhe kryeministri Albin Kurti, duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se “nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes ku thuhet se nuk do të pengohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha se BE-ja “duhet të dëshmohet tani” që marrëveshja të respektohet.
“Ne kemi marrëveshje, kishim marrëveshje më 27 shkurt, bëmë sërish marrëveshje më 18 mars dhe që të dyja janë marrëveshje. BE-ja po thotë që është marrëveshje, në anën tjetër keni deklarata të palës serbe e cila tregon se si nuk e ka ndërmend të zbatojë diçka apo se si tashmë po shkel diçka tjetër. Por, ne nuk do të mund të merremi me këtë, andaj ekziston ndërmjetësuesi. Tash, BE-ja është ajo që duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara duhet të zbatohen në terren”, tha Kurti. Deri tash askush nga autoritetet ndërkombëtare, nuk ka komentuar deklaratat e Presidentit të Serbisë, rreth zbatimit të marrëveshjes. Por, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, menjëherë pas takimit të Ohrit, tha gjatë raportimit para ministrave të jashtëm të BE-së, se “zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, do të mbikëqyret nga një komision i përbërë nga të dyja vendet dhe Bashkimi Evropian”. Sipas tij, “ajo është ligjërisht e obligueshme”.
“Këto marrëveshje hyjnë në fuqi me deklaratën që e lëshova. Nuk ishte nënshkrim për shkaqe ligjore, por dyja palët u pajtuan se deklarata ime është përkushtim nga ana e tyre për të plotësuar tërësisht obligimet që dalin nga kjo marrëveshje e aneksi i implementimit”, tha Borrell.
Sidoqoftë, ndër pikat propozimit evropian që u dakorduan Kosova dhe Serbia, është që të gjitha marrëveshjet e mëparshme, pra 39 sosh, duhet të respektohen. Ndër to është edhe marrëveshja që Prishtina duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe
Në nenin 7 të marrëveshjes, kërkohet sigurimi i një “niveli adekuat të vetëmenaxhimit për komunitetin serb”. Autoritetet ndërkombëtare këtë nen po e interpretojnë si “zbatim i detyrimeve që Kosova ka marrë më 2013”, përkatësisht për marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për këtë Presidentja Vjosa Osmani, tha: “Kjo për mua si presidente e Republikës nënkupton respektim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç kam thënë nga viti 2015 e tutje. Bashkimi i komunave ose qytetarëve në asociacione është e drejtë që Kosova tashmë e njeh me Kushtetutën e saj”. Osmani shtoi se “ky nen mund të zbatohet vetëm përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015”.
Marrëveshje e detyrueshme
Kosova dhe Serbia ranë më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut dakord për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit. Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara thanë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e detyrueshme për palët. Marrëveshja që u publikua nga Bashkimi Evropian me 27 shkurt në Bruksel, ka 11 nene, por nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja palët që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë edhe pasaportat, diplomat dhe targat./DW
Top Channel