Dita e sindromës down/ Në të gjithë vendin janë 140 nxënës në shkolla me këtë sindromë

21/03/2023 19:55

21 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për Sindromën Down. Në këtë ditë ne vizituam shkollën special “Luigj Gurakuqi” në Tiranë.

“Unë e dua shumë nënën, gjyshin dhe mamin. I kam zemër. Unë gatuaj, laj pjatat dhe më pëlqen shumë keku”, thotë nxënësja Alesia Shatëri.

Jasimina tregoi se babai i saj Tiku është njeriu që do më shumë në botë.

“Gjithmonë parimi ynë është që t’u tregojmë prindërve që fëmijët e tyre kanë edhe pika të forta dhe ne do të kapemi fortë pas tyre dhe të ecim përpara e të bëjmë më të mirën. Nxënësit tanë sot punojnë p.sh. si kamarier, në pastrim kimik, në kuzhinë etj. Unë nuk e ndërroj shkollën ‘Luigj Gurakuqi’, ndihem e plotësuar këtu. Më duket sikur po përmbush një mision që ia vlen. Ata që kanë nevojë unë dhe gjithë kolegët e mi të palodhur iu japim diçka nga vetja jonë. Është një dashuri e madhe ajo që iu japim këtyre fëmijëve, por është dashuri e pakufijshme ajo që marrim në këmbim”, shpjegon mësuesja e Arsimit Special, Klodjana Mehmeti.

Sipas Ministrisë së Arsimit aktualisht në sistemin arsimor ka rreth 3600 nxënës me aftësi të kufizuara, ndër të cilët rreth 140 i përkasin kësaj sindrome. Mësuesit ndihmës të përfshirë në sistemin arsimor parauniversitar janë rreth 1700, që e çon raportin 1 mësues ndihmës për 2 nxënës me aftësi të kufizuar, një raport i përafërt ky me atë të BE-së.

Top Channel