“Çregjistroni Bashkë Fitojmë”/ Kërkesa e PD në KQZ, Berisha përgjigjet me padi në Kolegjin Zgjedhor

21/03/2023 19:39

I mbetur pa vulën dhe logon e partisë, të cilën e themeloi 3 dekada më parë, Sali Berisha po lëviz të gjitha gurët për të penguar pjesëmarrjen në zgjedhjet e pranverës të krijesës së tij me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i mbylli derën për të garuar si kryetar i Partisë Demokratike në betejën vendore, por sytë dhe shpresat e ish kryetarit demokrat  janë në Kolegjin Zgjedhor, të cilit i kërkon ti heqë  të drejtën Enkelejd Alibeaj për të garuar me logon dhe vulën e PD-së  në zgjedhje, dhe t’i hapë rrugë regjistrimit  nga e para të Partisë Demokratike, por këtë herë me kryetar Sali Berisha.

Paralelisht me këtë hap kërkohet që Kolegji të detyrojë Komisionerin Ilirjan Celibashi  të korrigjojë vendimin që e la  kreun e Foltores  jashtë koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Por, saga e ankimimeve në emër të Partisë Demokratike nuk ka të sosur. Në një kohë që  Sali Berisa pret që Komisoni Qendror i Zgjedhjeve të pezullojë  Enkelejd Alibeajn deri sa  gjykata e zgjedhjeve  të thotë fjalën e fundit, kryetari i komanduar i PD  u vu në lëvizje dhe trokiti në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve  për të kërkuar çregjistrimin e koalicionit  ‘Bashkë Fitojmë” ku Berisha ka vendosur të strehojë kandidatët e primareve.

Argumenti që përdor Alibeaj për të lënë jashtë zgjedhjeve Berishën është se në marrëveshjen e tij të koalicionit me Ilir Metën  përdoren simbolet e Partisë Demokratike në mënyrë të jashtëligjshme. Alibeaj shqetësohet në ankesën e tij edhe se kush mes Metës, Dules dhe Ndokës do të propozojë kandidatët e koalicionit për sa kohë kandidatët i ka Berisha dhe jo te tjerët.

E ndërsa  duket që telashet për Enkelejd Alibeaj marrë fund ende, realiteti nuk është i tillë, pasi edhe pse  gëzon vulën dhe logon e Partisë Demokratike ai nuk ka ende kandidatet për 61 Bashkitë e vendit. Me zgjedhjet ne prag  nga njëra ane dhe presionin e shtuar të Berishës nga ana tjetër  Aliebaj  ka nisur konsultimet me besniket e tij.

Në tryezë janë tre opsione: Dalja me kandidat ne te gjithë bashkitë e vendit,  opsioni i dytë  është nxjerrja e emrave vetëm ne bashkitë  ku pretendohet se kandidatët e PD zyrtare janë të fortë dhe  lënia e terrenit te lirë në zonat e tjera për kandidatët e Foltores. Ndërsa,  skenari i trete  është futja në zgjedhje vetëm për të synuar këshillat bashkiak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA