E vetmja rrugë është dija! Si arriti shqiptarja të punësohej në universitetin ku u diplomua në Paris

19/03/2023 19:43

Lorenca Bejko prej 5 vitesh është larguar jashtë Shqipërisë pas diplomimit për të drejtë penale në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Ajo u nxit të vazhdonte formimin akademik në Francë.

“E dua punën kërkimore dhe ndaj bëra një master të dytë në universitetin e Gronoblës për të drejtë civile dhe më pas vazhdova studimet doktorale për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Kisha dy mentor shumë motivues dhe ia dola me sukses të diplomohesh me në fokus të drejtën europiane e më konkretisht për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”- tha Dr. Lorenca Bejko- pedagoge.

Fillimisht, Lori u përball me një sistem arsimor dhe mendësi të studentëve parisienë ndryshe nga ç’kishte parë në Shqipëri.

“Më bënte habi kur shkova në bibliotekë. Ishte plot. Studentët e shihnin si oaz qetësie, qëndronin hapur nga ora 7 deri në 11, edhe të shtunave e të dielave”– tha Dr.Lorenca Bejko- pedagoge.

Megjithatë rrugëtimi i saj akademik në emigrim nuk ka qenë i lehtë. Jo rrallëherë është parë me syrin diskriminues prej nga vinte, por puna sistematike I dha mundësinë Lorit që të punësohej në të njëjtin universitet ku mori titullin diplomate në Paris.

“Si fillim isha asistent profesore dhe tanimë që nga tetori jam lektore me kohë të plotë. Më është dashur punë 10-fish sepse ata nuk shihnin vetëm sa vleje ti individualisht por edhe shtetin që përfaqësoje. Nëse Shqipëria do vlerësonte njerëzit e formuar unë do e kisha dhënë aty kontributin tim”– tha Dr. Lorenca Bejko.

Gjithmonë kërkuese ndaj vetes, Lori ka ushtruar edhe detyrën e sekretares së parë diplomate në ambasadën shqiptare në Hollandë,si dhe ka botuar një cikël me libra akademikë me në fokus marrëdhëniet ndërkombëtare.

Dhe si një diplomate e re që i ka dhënë edhe më shumë zë Shqipërisë në botë, ajo mendon se Shqipëria do të dojë të paktën edhe 10 vite që të jetë anëtare e BE.

Top Channel