Në skenen e teatrit “Migjeni” nuk mund të mungonte edhe këtë vit, spektakli humoristik “Big Brother Vip Shkodra 2”.

Estrada e qytetit, me në krye “Mjeshtrat e Mëdhenj” Zyliha Miloti, Besnik Cinari, Drande Xhaj, në bashkepunim me artistët e rinj, duke imituar dhe vënë në lojë personazhet e vërtetë të “Big Brother Vip” në Top Channel, sollën të qeshura pafund për artdashesin shkodran.

“Shumë mirë, na priti publiku shumë mirë, jemi shumë të kënaqur, të shohim tani netët e tjera”, është shprehur Aleksandër Prenga i cili ka luajtur rolin e Kristit.

“Realisht shumë mirë shkoi. Roli është shumë i vështirë”, është shprehur Ketlin Pjalmi në rolin e Kiarës.

“Jam munduar t’i kam ndonjë detaj, jo t’i bëj njëlloj, por t’i kap ndonjë detaj të lëvizjeve të tij ose batutave të tij”, është shprehur Fritz Selmani i cili luajti rolin e Luizit.

“Çfarë iu desh Fritzit të ndryshonte, për t’u përshtatur?”

“E para flokët, siç shihet”, ka thënë Fritz Selmani.

Kjo është një pjesë që unë e kam krijuar para 10 vjetëve me një format të tillë që të luaj me formatin real dhe kjo më jep kënaqësi”, është shprehur regjisori Arian Çuliqi.

Humori shkodran nuk mund të identifikohet pa Zyliha Milotin, e cila në moshën 77-vjeçare sapo ngjitet në skenë, merr energji të tjera.

“Sonte e kam ndjerë veten 20-vjeçe, nuk e di ndoshta nuk e kam justifikuar këtë që po them në shfaqje me këta artista të mrekullueshëm, me këta djem të talentuar dhe vajza, unë jam shumë e lumtur. Mendoj që shkoi mirë shfaqja, pati ritëm, kuptohet emocionet janë se janë dhe të rinj, por mundohemi t’i japim zemër ne të vjetrit, janë shumë të talentuar”, është shprehur aktorja e njohur Zyliha Milot.

“Big Brother Vip Shkodra 2” do të shfaqet netët në vazhdim në  teatrin “Migjeni” ndërsa nuk është caktuar një afat për shkak të kërkesave të shumta për të ndjekur.

Top Channel