13 Gusht 2023. Në orët e mbrëmjes, në komisariatin numër 1 në Tiranë, paraqitet një vajzë afrikane e quajtur Emily Mutua e cila denoncon zhudkjen e shoqes së saj të dhomës.
Ajo kishte konstatuar që prej orëve të para të mëngjesit mungesën e Xhoit 22-vjeçare. Pavarësisht se në shtratin e shoqes kishte konstatuar rrëmujë të pazakontë, sikur aty të kishte pasur përleshje, ajo vendosi të denoncojë vetëm pas 13 orësh.
Mesditën e 14 Gushtit, afro 30 orë pasi u raportua e zhdukur, 22-vjeçarja u gjet në gjendje të rëndë poshtë ballkonit të rezidencës “Flauer”, pranë vilave gjermane. Të parat që konstatuan Xhoin pa ndjenja ishin dy kolege të saj gjeorgjiane, të cilat punon së bashku me Xhoin si krupiere.
Çështja bëhet mjaft e dyshimtë që në momentet e para. Mjaft e çuditshme se si koleget, shoqet e saj nuk e panë vajzën që dergjej prej 30 orësh pranë dritareve që ishin jo më larg se 3-4 metër. Shtetasja gjeorgjiane e quajtur Sofi, ka treguar para prokurorit momentet e para se si e gjetën Xhoin.
“Pamë që ky person ishte Joyce nga Kenia, dhe filluam të bërtasim të shqetësuara. Në këtë moment të dyja zbritëm poshtë. Bashkë me ne zbritën edhe njerëz të tjerë që punojnë tek kazinoja, por që jetojnë në rezidencë. Joyce ishte e shtrirë përtokë, pa këpucë, e përmbysur, kishte gjakderdhje në kokë mbrapa, ishte e gërvishtur tek pjesa e mollëzës së fytyrës, gjakderdhje nga hunda si dhe pantallonat e shkurtra i kishte të ulura deri tek gjunjët”.
Në momentet e para, për ngjarjen nuk foli askush. Rrethanat e dyshimta u lanë mënjanë dhe e gjithë ngjarja, po trajtohej si vetëvrasje. Sot, Prokuroia e Tiranës nuk ka ende një pistë përfundimtare hetimi.
Ajo që u duk që në momentet e para, ëhstë neglizhenca e institucioneve për zbardhjen e ngjarjeve, që ne do ta zbulojmë hap pas hapi përmes dokumenteve dhe provave nga dosja hetimore.
Top Channel