Top Channel publikoi videon e Peter Magyar, ja si reagon kryeministri hungarez (FOTO)
Një stuhi e fuqishme ka goditur verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar përmbytje, erëra të forta, reshje të dendura shiu dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Rreth 100 mijë shtëpi mbetën pa energji të shtunën, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për kushte të rrezikshme gjatë ditëve në vijim. Dhjetëra miliona njerëz ndodhen në zonat e prekura nga stuhia, e cila pritet të vijojë të ndikojë në rajonin e Atlantikut të Mesëm dhe në New England gjatë gjithë fundjavës.
Meteorologu kryesor i Shërbimit Kombëtar të Motit në College Park, Maryland, Bob Oravec, tha se priten “erëra shumë të forta, baticë të lartë dhe mundësi për reshje të dendura shiu” gjatë ditëve të ardhshme në verilindje të SHBA-së. Në qytetin bregdetar Surf City, në New Jersey, uji përmbyti rrugët dhe hyri në disa banesa.
Kenny Formica, pronar i një marine në bregdetin e New Jersey-t, tha se po përpiqej të ndiqte situatën nga shtëpia përmes kamerave të sigurisë, ndërsa niveli i ujit brenda marinës vazhdonte të rritej. Sipas tij, përmbytja e ndërtesës është një ngjarje e rrallë. Herën e fundit që kujton një situatë të tillë ishte gjatë uraganit Sandy, i cili, sipas tij, shkaktoi më shumë se 4 milionë dollarë dëme në biznesin e tij.

Para mbërritjes së stuhisë, punonjësit siguruan litarët e ankorimit, zhvendosën sendet dhe pajisjet që mund të dëmtoheshin dhe parkuan kamionët dhe mjetet e marinës në pjesën më të lartë të pronës. Por deri të shtunën në mëngjes, edhe ato ishin pothuajse të rrethuara nga uji.
Formica tha se gjatë mëngjesit mori mesazhe nga klientë që raportonin se u ishin zhdukur varkat dhe mjetet e ujit. Një prej tyre i dërgoi një video rreth orës 04:00, ku shihej varka e tij 7.6 metra e gjatë, e cila ishte shkëputur nga vendi ku ishte ankoruar.
“Është një varkë prej rreth 3.6 tonësh dhe kushton 150 mijë dollarë, thjesht u zhduk”, tha Formica.
Edhe në Edgewater, New Jersey, përgjatë lumit Hudson, uji përfshiu një parkim të madh të mbushur me makina. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, një makinë dukej pothuajse tërësisht nën ujë, me vetëm çatinë panoramike mbi sipërfaqe, ndërsa njerëzit përpiqeshin të zhvendosnin automjetet e tjera larg ujit.
Stuhia anulon fluturimet dhe ndryshon aktivitetet
Stuhia ka detyruar shumë njerëz të ndryshojnë planet e tyre. Qindra fluturime u anuluan në aeroportin Logan të Bostonit, ndërsa pjesa më e madhe e fluturimeve drejt destinacioneve turistike Martha’s Vineyard dhe Nantucket u anuluan gjithashtu. Edhe sporti u prek nga moti i keq. Boston Red Sox dhe Chicago Cubs, të cilat po përgatiteshin për fazën e play-off-it gjatë fundjavës së fundit të sezonit të rregullt të Major League Baseball, u detyruan të ndryshonin kalendarin e ndeshjeve.
Dy skuadrat zhvilluan një ndeshje të dyfishtë të premten në Boston për të shmangur stuhinë. Më pas, MLB vendosi që ndeshja përmbyllëse e serisë të dielën të zhvillohej në Florida, në stadiumin e Tampa Bay Rays. Ndërkohë, këngëtari Ed Sheeran anuloi koncertet e tij të së premtes dhe të së shtunës në stadiumin Gillette në Foxborough, Massachusetts.
Më në jug, mbyllja e një autostrade në ishullin Hatteras të Karolinës së Veriut prishi planet për dasmën e Jayden Sink dhe Kimberly Laprad.
Çifti nga Virxhinia kishte arritur të hynte në ishull përpara stuhisë, por rreth 45 të ftuar mbetën në anën tjetër të rrugës së bllokuar. Një kamping lokal ofroi një vend të ri për ceremoninë, kabina dhe një person për të drejtuar dasmën, ndërsa një DJ u ofrua të siguronte muzikën.

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes
Stuhitë e këtij lloji nuk janë të pazakonta në New England gjatë vjeshtës, por kjo stuhi ka mbërritur më herët se zakonisht në sezon. Autoritetet në disa shtete përgjatë bregut lindor u kanë bërë thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm dhe të ndjekin parashikimet e motit. Guvernatori i Delaware, Matt Meyer, u kërkoi banorëve të qëndrojnë të informuar për zhvillimin e situatës. Ndërsa guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul, tha se përmbytjet bregdetare përbëjnë kërcënimin kryesor, por paralajmëroi gjithashtu për reshje të dendura, erëra të fuqishme dhe dallgë që mund të arrijnë deri në gjashtë metra lartësi.
“Shiu ka nisur dhe, edhe pse deri tani kanë rënë vetëm rreth 1.3 centimetra, shumë më tepër reshje po vijnë”, tha Hochul të shtunën në mëngjes.
Top Channel