Ishulli indonezian Bali po planifikon të ndalojë turistët e huaj të përdorin motoçikletat pas një sërë rastesh që përfshijnë njerëz që shkelin ligjet e trafikut.
“Ju nuk duhet të bredhni nëpër ishull duke përdorur motoçikleta, pa veshur këmisha apo rroba, pa helmetë dhe madje edhe pa licencë,” tha Guvernatori I Wayan Koster.
Turistët në vend të kësaj do të lëvizin me automjete të ofruara nga agjentët e udhëtimit.
Më shumë se 171 shtetas të huaj kanë shkelur urdhrat e trafikut nga fundi i shkurtit deri në fillim të marsit, sipas të dhënave të policisë lokale. Disa turistë përdorin edhe targa false.
“Nëse je turist, atëherë vepro si turist”, tha guvernatori.
Turistët e huaj në Bali shpesh preferojnë të marrin motoçikleta me qira për të lëvizur nëpër ishull, i cili nuk ka një sistem transporti publik të zhvilluar mirë. Makinat me dy rrota janë një opsion i mirë për të udhëtuar nëpër rrugicat piktoreske.
Një turist tha se të huajve duhet “t’u jepet liria” për të ngarë motoçikletat për sa kohë që ata ofrojnë licenca të vlefshme.
Por disa operatorë kanë ngritur shqetësime për efektin e saj në biznes, pasi një ndalim i tillë mund të dëmtojë gjithashtu reputacionin e Indonezisë në sytë e vendeve të tjera.
“Në fund të fundit, jo çdo udhëtar sillet keq”, tha Nyoman Sukma Arida, një pedagog në turizëm dhe sugjeroi marrjen me qira të automjeteve duke u siguruar që ata të kenë patentë shoferi të vlefshëm.
Top Channel