Nata më e rëndësishme e kinemasë botërore, ndarja e çmimeve Oscar vjen këtë të diel një  transmetim ekskluziv të drejtpërdrejtë, nga studiot e Top Channel në Tiranë dhe teatrit Dobly në Hollywood.

Edhe këtë vit, si gjithmonë, vëmendja e gjithë botës do të përqendrohet në prodhimet filmike që konkurrojnë për The Academy Awards, vlerësimi më i madh që mund t’i bëhet regjisorëve, aktorëve, producentëve dhe gjithë të tjerëve që punojnë në industrinë e filmit.

Dhjetë filma konkurrojnë në kategorinë më të rëndësishme, atë të filmit më të mirë, e cila këtë vit përfshin nga filmat epikë fantastiko-shkencorë, si Avatar The Way Of Water apo fantazia e jashtëzakonshme e multiverseve të “Everything, Everyëhere All At Once”, deri tek Drama karakteriale si TAR që ka në qendër një dirigjente të famshme të trilluar, Lidia Tar, të interpretuar nga aktorja Kate Blanchett.

Gjithçka mbetet për t’u vendosur mbrëmjen e së dielës dhe gjithçka do të shfaqet në ekranin e Top Channel në një transmetim të drejtuar nga Blendi Salaj që nis në orën 23:15 të mbrëmjes.

Të ftuar në studio do të jenë regjisorë të njohur të cilët do të sjellin analizat dhe parashikimet e tyre mbi filmat dhe aktorët në garë, por po ashtu, i gjithë shkëlqimi i Hollywood-it do të shfaqet në ekran teksa yjet parakalojnë në tapetin e kuq, të komentuar nga disa prej emrave më të njohur të industrisë së modës në Shqipëri.

Mos humbni asnjë moment nga nata më e madhe e industrisë filmike, të dielën, 12 mars në orën 23:15, vetëm në ekranin e Top Channel.

Top Channel