Eksporte drejt Anglisë/ Fermeri nga Elbasani tregon si nisi “aventura” nga një bisedë në “Facebook”

11/03/2023 19:47

Sami Debrova nga Elbasani, afërsisht dy dekada më parë mbeti i papunë, gjendja e rënduar ekonomike e detyroi atë të shiste ullinjtë e kriposur të familjes.

Fati deshi që e gjithë sasia e ullirit të shitej brenda pak orëve. Mjaftoi vetëm kjo ditë për ta shndërruar Samiun nga konsumator ulliri, në fermer, e më pas në tregtar të ullirit të konservuar.

“Në vitet 2000 filluam duke dalë në treg me pak ulli, te cilët na kishin mbetur nga mospërdorimi në familje, pamë që ato u shitën. Kështu na pëlqeu si ide dhe filluam duke mbledhur pak ulli e duke i përgatitur me mënyrën tradicionale ujë dhe kripë. Kjo më dha rezultat jo vetëm brenda tregut ne Shqipëri, por edhe në USA, Angli, Zvicer dhe Gjermani.”- tha Sami Debrova, Fermer.

Në këto dy dekada si prodhues, Samiu thotë se ka bërë hapa të vegjël dhe të sigurt. Pas tregu vendas, ulliri i zonës së Belshit do të shitej deri tek supermarketet e Amerikës.

“Tani gjetja e tregut amerikan qe shumë e thjeshtë një tregtar me origjinë shqiptare rastësisht e takova në një vizitë në Iran. Ai mori kampionet e ullirit e pëlqeu dhe shijoi. E nisëm me pak eksportin me një baletë dhe sot kemi arritur që të mbushim kontenierin.”- tha Sami Debrova, Fermer

Edhe Shqipëria mund të eksportojë prodhime bujqësore në Angli. 4 vite më parë rastësisht në facebookun e fermerit vjen një kërkesë miqësie nga një person i panjohur, kjo miqësi virtuale më pas u kthye në një marrëdhënie tregtare me Anglinë. Por viti 2023 është më i mirë për Samiun, kriza e ushqimeve në Britani të Madhe, shtoi dhe kërkesat për ullirin e Belshit. Samiu thotë se shteti ishull mund të jetë një treg shumë i mirë për prodhimet bujqësore shqiptare, dhe rruga për të shitur prodhimet shqiptare në Angli është tepër e thjeshtë mjafton të garantohet siguria ushqimore.

“Tani lidhja me Anglinë erdhi rastësisht nga Facebook-u ku u afrua tregtari me origjinë shqiptare. Kërkesa vjen duke u rritur për ullirin. Me Anglinë unë kam bërë një kontratë 5-vjeçare. Si fillim eksportova 10 kuintal, sot kemi arritur 200 kuintal në vit.”– tha Sami Debrova, Fermer.

Për Samiun Anglia e krizës ushqimore është tregu që do të donte çdo prodhues shqiptar, pasi produkti po shitet me çmimin që do të donte çdo fermer.

Top Channel