Në galerinë e arteve figurative të Durrësit është çelur ekspozita vetjake e piktores Valbona Kapllani. Piktorja vjen në këtë ekspozitë me punime të shumta të realizuara gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.

Janë punime që sjellin ngjyra të gjalla dhe shprehi të një bote të pasur shpirtërore që e sheh të bukurën kudo dhe në kushtet e izolimit pandemik.

“E dua jetën me të gjitha ngjyrat, vrullin e saj dhe kjo më ka bërë të dashuroj natyrën dhe të shpreh emocionet e mia, madje ky vrull më bën të nxjerr në pah dhe rrëmujën që kam brenda. E hedh në telajo. Çdo gjë pasqyrohet në mënyrën time. Jo e fotografuar natyra, po në pikturën time del dhe shpirti.”- tha Valbona Kapllani, piktore

“Ndër të paktat artiste që unë njoh që bën bashkë disa zhanre të artit pamor, duke nisur nga portreti, kompozimi figural, natyra e qetë, peizazhi dhe vjen në një lloj linje ekspozuese tepër të veçantë duke i bërë bashkë jo vetëm si pjesë të një fenomenologjie të imazhit, por dhe si të një përjetimi personal të vetë artistes.”- tha Oltsen Gripshi, Kritik arti

Plot ngjyra dhe larmi imazhesh e zhanresh, ekspozita e titulluar “Pranverë” mblodhi dashamirës të shumtë të artit pamor nga Durrësi, Shijaku dhe Tirana.

Artistja zgjedh teknikën e vajit në kanavacë, ndërsa ngjyra e preferuar e saj është e kuqja, ngjyra e dashurisë dhe pasionit për gjithccka që të ofron jeta. Në këtë ekspozitë të dytë personale, piktorja vjen me punime të shumta të cilat do të jenë të ekspozuara edhe gjatë ditëve në vazhdim për të gjithë artdashësit.

Top Channel