Mallra kontrabandë, sekuestrohen 93 pako në Tiranë! Në kërkim administratorja e postës private

09/03/2023 09:13

Një rast i kontrabandës së mallrave është goditur së fundmi nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Tiranë.

Në kuadër të operacionit “Pakot postare 2”, u shpall në kërkim shtetasja A. D., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore e një poste private.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 37 vjeç, A. K., 22 vjeç dhe A. A., 40 vjeç, të tre banues në Tiranë, punonjës të kësaj poste.

Gjatë kontrollit të magazinave të postës në administrim nga shtetasja A. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 93 pako me mallra të ndryshme (veshje, produkte kozmetike, pajisje elektronike etj), pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e mallrave.

Nga veprimet hetimore dyshohet se mallrat e sekuestruara janë futur kontrabandë në Shqipëri. Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA