Kontrolli i banesave të partneres së Ahmetajt/ Gjenden 30 mijë euro në vilën në Hamallaj, çfarë deklaruan personat e pranishëm, a ishte aty ish-ministri?

09/03/2023 22:05

Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer këtë të enjte kontrolle në dy banesat e bashkëjetueses dhe ish-bashkëshortes së ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Në një lidhje direkte nga zona e Shallvareve, ku ndodhet një prej banesave ku është bërë kontrolli, raporton live për emisionin “Top Story”, gazetari Juxhin Mustafaraj.

Gjatë paradites, është bërë kontroll në një prej vilave në zonën e Hamallajt dhe janë marrë në pyetje persona që janë pjesë e kësaj prone, raporton gazetari. Dyshohet së është gjetur një shumë prej 30 mijë eurosh, që është thënë se janë para që përdoren për konsum të përditshëm.

Më pas, përgjatë pasdites, është kryer kontroll në banesën e partneres së Ahmetajt, në zonën e Shallvareve në kryeqytet.

Mustafaraj raporton se ka nisur dhe verifikimi i pronësisë. Ky ka qenë qëllimi i kontrollit sot në Hamallaj, thotë ai.

I pyetur nëse ka qenë Ahmetaj prezent gjatë këtyre kontrolleve, gazetari thotë se nuk ka ende informacion.

“Nuk ka një informacion sa i takon personave që kanë qenë në të dyja banesat. Por pas kontrollit personat që janë marrë në pyetje, kanë firmosur deklarata mbi sendet, shumat e gjetura dhe deklaratat e dhëna”.

Ish-ministri dhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është i përfshirë në çështjen e inceneratorëve.

Në dosjen e SPAK janë të dhënat e nxjerra nga kompjuteri i administratorit të inceneratorëve Klodian Zoto, i cili gjatë punës për realizimin e koncesionit ka paguar sasi të mëdha parash në favor të udhëtimeve private të ish-ministrit Arben Ahmetaj.

Udhëtimet e kushtueshme të ish-ministrit Ahmetaj me partneren e tij, janë paguar nga Klodian Zoto, pronarit të shoqërisë koncensionare të inceneratorëve.

Pasi ish-ministri ka firmosur në 14 prill 2014 për koncensionin e inceneratorëve në cilësinë e ministrit të Ekonomisë dhe më pas ka lëvruar fondet publike në cilësinë e ministrit të Financave, Zoto i ka kthyer reston, duke i mbuluar shpenzimet Ahmetajt, ish-bashkëshortes si dhe partneres. Pagesat e Klodian Zotos për mbulimin e udhëtimeve dhe akomodimin në hotele me 5 yje të Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij, i përkasin periudhës 2015-2016. Me paratë e inceneratorëve, çifti Ahmetaj ka vizituar simbolet turistike të Evropës. Udhëtimet dhe akomodimet në hotele luksoze përkojnë me hyrje-daljet e shënuara në sistemin TIMS.

Faturat e hoteleve me 5 yje për Ahmetajn dhe partneren e tij, përkojnë kryesisht me fundjavat. Për këto fatura, dy prokurorët e SPAK Eneid Nakuçi dhe Klodian Brahi që kanë hetuar dosjen, nuk e kanë thirrur në asnjë moment të vetëm Arben Ahmetajn për ta pyetur.

Top Channel