Pas dy ditë protestash masive ku nuk munguan përplasjet me policinë e dhuna, partia në pushtet e Gjeorgjisë njoftoi tërheqjen projektligjit mbi “agjentët e huaj” që i nxori njerëzit në rrugë.
Masa ligjore do të kërkonte që mediat dhe organizatat joqeveritare që marrin më shumë se 20 për qind të fondeve të tyre nga burime të huaja, të regjistrohen si “agjentë të huaj”.
Kundërshtarët e projektligjit e krahasuan atë me një ligj rus të vitit 2012, që është përdorur për të shtypur ose mbyllur organizatat që kritikonin qeverinë ruse.
Partia ‘Ëndrra gjeorgjiane’ në pushtet, tha se projektligji u interpretua në mënyrë negative dhe se një pjesë e publikut u mashtrua. Përfaqësues të partive opozitare, thanë ndërkaq protestat do të vazhdojnë derisa qeveria të distancohet zyrtarisht nga projektligji dhe të lirojë të gjithë të arrestuarit gjatë protestave.
Presidenti i Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, njoftoi më herët se ajo do t’i vinte veton projektligjit nëse do të arrinte në tryezën e saj, ndërsa kundërshtarët e tjerë shprehën shqetësime se masa do të ndikonte në shpresat e Gjeorgjisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se projekt-ligji ishte një “zhvillim shumë negativ” për Gjeorgjinë dhe mund të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet e vendit me BE-në, e nisma u dënua dhe nga DASH.
Top Channel