Sulm me bombë në Pakistan! Humbin jetën nëntë oficerë sigurie, plagosen disa të tjerë

06/03/2023 11:03

Nëntë oficerë sigurie mbetën të vrarë dhe të paktën 13 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me bombë në Pakistanin jugperëndimor.

Shpërthimi ndodhi në provincën Balochistan kur oficerët po ktheheshin në kryeqytetin e provincës Quetta, pasi po kontrollonin ambientin ku zhvillohej një festë e përvitshme.

BBC shkruan se në provat paraprake policia dyshon se sulmi ka qenë vetëvrasës.

Në vendngjarje pas sulmit kishte një kamion policie të aksidentuar dhe të përmbysur, me njolla gjaku në tokë.

Raportohet se autori përplasi një motoçikletë në kamion, por ende asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë.

Qeveria e Balochistanit e ka dënuar sulmin dhe ka deklaruar se një hetim është duke u zhvilluar. Një ekip për asgjësimin e bombave është në vend për të mbledhur prova, në zonën e rrethuar.

“Të gjitha komplotet e tilla kundër paqes në provincë do të bëhen të pasuksesshme me mbështetjen e publikut”, deklaroi kryeministri i Balochistanit, Abdul Kuddus Bizenjo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA