Presidenti Biden thotë se e drejta e votimit vazhdon të sulmohet

06/03/2023 16:19

Presidenti amerikan Joe Biden të dielën ndodhej në shtetin juglindor të Alabamës për të nderuar heronjtë e marshimit të njohur si “E Diela e Përgjakshme” në qytetin Selma, ku tha se e drejta e votimit vazhdon të sulmohet.

Aktivistët e të drejtave civile organizuan një marshim paqësor për të drejtat e votimit për afrikano-amerikanët mbi Urën “Edmund Pettus” në Selma, më 7 mars të vitit 1965, i cili u shtyp në mënyrë të dhunshme nga policia lokale dhe ajo shtetërore.

Pamjet e shtypjes brutale nga policia të marshuesve paqësorë në Selma më 7 mars të vitit 1965 forcuan mbështetjen për lëvizjen për të drejtat civile dhe çuan në miratimin më vonë atë vit të Aktit historik për të Drejtat e Votimit, i cili i dha fund diskriminimit racor në zgjedhje.

“Marshimi në Selma ishte në mbështetje të së drejtës për të votuar, për ta llogaritur votën tuaj si një prag të lirisë dhe demokracisë. Me të, gjithçka është e mundur. Pa të, pa atë të drejtë asgjë nuk është e mundur. Dhe kjo e drejtë themelore vazhdon të goditet.”

Presidenti Biden tha se vendimet e Gjykatës së Lartë, të kontrolluar nga konservatorët, e kanë dobësuar Aktin e të Drejtave të Votimit në vitet e fundit.

Presidenti denoncoi gjithashtu përpjekjet në rritje në disa shtete për të kufizuar, apo edhe ndaluar mësimin e historisë së Afrikano-Amerikanëve në shkollat publike.

“E vërteta ka rëndësi. Pavarësisht se pala tjetër po përpiqet të gënjejë, ose fsheh të vërtetën. Pavarësisht se sa shumë përpiqen disa njerëz, ne nuk mund thjesht të zgjedhim se çfarë duam të mësojmë. Duhet të mësojmë gjithçka, të mirën, të keqen, të vërtetën mbi se kush jemi si vend. Dhe të gjithë duhet ta dinë të vërtetën e Selmës”, tha ai.

Presidenti Biden më vonë udhëhoqi një marshim simbolik mbi urën Edmund Pettus për të përkujtuar ngjarjen.

Vizita e Presidentit Biden në Selma ishte gjithashtu një mundësi për të folur drejtpërdrejt me brezin aktual të aktivistëve.

Shumë prej tyre nuk janë të kënaqur që Presidenti Biden nuk ka qenë në gjendje të përmbushë premtimin e tij elektoral për të forcuar të drejtat e votimit dhe ata duan që administrata e tij ta mbajë këtë çështje në qendër të vëmendjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA