Administratori i një poste private është vënë në prangat e policisë së kryeqytetit, ndërsa kanë nisur hetimet për tre punonjës, pasi në magazinë u gjetën mallra pa fatura tatimore.
Gjatë operacioni policor të koduar “Pakot postare” në magazinën e postës u sekuestruan 260 pako dhe 46 thasë me mallra të ndryshme si veshje, produkte kozmetike, medikamente mjekësore, pajisje elektronike etj.
Në vijim të kontrolleve u gjetën edhe disa pako me logon e një poste tjetër pa fatura apo deklarata doganore dhe policia shpalli në kërkim administratoren e kësaj poste.
Nga hetimet dyshohet se mallrat e sekuestruara janë futur kontrabandë në Shqipëri, ndërsa vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme.
DVP Tiranë/Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Pakot postare”. Sekuestrohen 260 pako dhe 46 thasë me mallra të ndryshme (veshje, produkte kozmetike, medikamente mjekësore, pajisje elektronike etj). Vihet në pranga administratori i një poste private, procedohen në gjendje të lirë 3 punonjës të kësaj poste. Shpallet në kërkim administratorja e një tjetër poste private.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pakot postare”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Sh., 43 vjeç, banues në Lezhë, administrator i një poste private. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. P., 27 vjeç, E. M., 46 vjeç, të dy banues në Tiranë, dhe M. S., 18 vjeç, banues në Mamurras, të tre punonjës të kësaj poste. Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasja A. Gj., 38 vjeçe, administratore e një poste tjetër private. Gjatë kontrollit të magazinave të postës në administrim nga shtetasi A. Sh., në Linzë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 260 pako dhe 46 thasë me mallra të ndryshme (veshje, produkte kozmetike, medikamente mjekësore, pajisje elektronike etj), pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e mallrave.
Në vijim të kontrolleve u gjetën edhe disa pako me logon e një poste tjetër, të papajisura me fatura apo deklarata doganore. Vijon puna për kapjen e administratores së kësaj poste, shtetases A. Gj. Nga veprimet hetimore dyshohet se mallrat e sekuestruara janë futur kontrabandë në Shqipëri. Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel