Po transportonte 7 emigrantë të paligjshëm, pranga 31-vjeçarit në Elbasan, në kërkim bashkëpunëtori i tij

04/10/2026 10:36
Foto ilustruese

DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrjeta 2”.

Goditet një tjetër rast i dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Transportonte me automjet 7 shtetas të huaj nga vendet e treta, vihet në pranga 31-vjeçari, ndërsa shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Sekuestrohet automjeti i përdorur për transportimin e shtetasve të huaj.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Elbasan, në kuadër të operacionit policor të koduar “Rrjeta 2”, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, kapën shtetasin A. A., 31 vjeç, duke transportuar, me një automjet në pronësi të shtetasit M. K., 25 vjeç, 7 shtetas të huaj nga vendet e treta, të cilët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. A., ndërsa bashkëpunëtori i tij, shtetasi M. K., u shpall në kërkim.

Automjeti i përdorur për transportimin e shtetasve të huaj u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë dhe kapjen e shtetasit M. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.

Top Channel