Një shënim i koduar i fshehur brenda këmbës së një karrigeje ndihmoi në arrestimin e bosit më të kërkuar të mafies në Itali, Matteo Messina Denaro.
Policia e gjeti shënimin gjatë një operacioni të fshehtë në shtëpinë e motrës së tij Rosalia, një muaj para arrestimit të tij në kryeqytetin sicilian Palermo në janar.
Rosalia Messina Denaro u arrestua gjithashtu në Siçili të premten. Vëllai i saj, 60 vjeç, kaloi 30 vjet në arrati dhe besohet se i ka shpëtuar drejtësisë me ndihmën e familjes.
Bosi i mafies famëkeqe Cosa Nostra dhe u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2002 për një varg vrasjesh. Denaro përfundimisht u kap nga policia jashtë një klinike private në Palermo, ku ai po trajtohej për kancerin me një identitet të rremë, më 16 janar.
Më shumë se 100 pjesëtarë të forcave të armatosura u përfshinë në arrestimin e tij.
Rosalia 67 vjeçe, e njohur gjithashtu si Rosetta, u arrestua vetë në Siçili për akuzat e anëtarësimit në mafia të premten, ku policia italiane lëshoi një urdhër arresti prej 57 faqesh, duke detajuar disa nga rrethanat që çuan në arrestimin e mëhershëm të vëllait të saj.
Urdhri zbulon se policia gjeti një shënim brenda këmbës së një karrige alumini në shtëpinë e Rosalias në qytetin Castelvetrano, ndërsa përpiqej të vendoste një pajisje dëgjimi brenda gjatë një operacioni në dhjetor.
Oficerët fotografuan shënimin, i cili fillimisht dukej si një grumbull fjalësh, shenjash dhe shkronjash.Shënimi ishte në fakt një copë e vogël letre e shkruar në kod e përdorur nga Messina Denaro për të komunikuar me të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij.
Analiza tregoi se dokumentoi luftën e një burri me kancerin e zorrës së trashë, me policinë që e përqendroi vëmendjen e saj te Messina Denaro pasi verifikoi se asnjë anëtar tjetër i familjes nuk kishte diagnoza të ngjashme me kancer.
“Rezultati historik i kapjes… ka origjinën nga një shënim, i mbajtur pa kujdes, megjithëse i fshehur, nga Rosetta”, shkruante një gjyqtar në urdhër.
Ajo dyshohet se ka luajtur një rol të madh në familjen e saj mafioze, duke vepruar si arkëtare, me policinë që ka thënë se ajo ka komunikuar me vëllain e saj duke përdorur emrin e koduar “Fragolone”, ose “luleshtrydhe e madhe”.
Top Channel