Pallatet e vjetra do verifikohen! Auditim teknik për ndërtesat mbi 50 vjet, për shembje ose riparime

28/02/2023 19:45

Nëpërmjet një projektvendimi, qeveria pritet të fillojë procesin e auditimit teknik të pallateve me më shumë se 50 vite vjetërsi.

Në të parashikohet që Bashkitë do përcaktojnë subjektet private që do bëjnë inspektimet, ndërsa Instituti i Ndërtimit më pas do bëjë oponencën teknike dhe ka fuqinë e vendimit përfundimtar nëse pallati do riparohet apo shembet.

Nëse auditimi zbulon se pallati ka nevojë për ndërhyrje, atëherë do të bëhet edhe një analizë financiare për të përcaktuar nëse ia vlen të riparohet apo të ndërtohet nga e para. Nëse vlera e riparimit të pallatit është më e madhe ose barazvlefshme me koston e ndërtimit nga e para, ai do të prishet. Për ekspertët e fushës do duhej jo vetëm një VKM, por një ligj i ri për rishikimin e këtyre objekteve

“Fakti që kanë kaluar shumë vite tranzicion dhe vëmendja për ti shërbyer në mirëmbajtje inxhinierike ka qenë pothuajse zero ky është një argument i rëndësishëm sepse ka ndikuar ndjeshëm në uljen e aftësive mbajtëse. Pastaj duke parë dhe ndryshimet e normative që duam të arrijmë, në standartin e zbatimeve inxhinierike në Shqipëri. Ky është një tjetër argument. Por, do doja që të niste fillimisht me ndërtesat e rëndësive të veçanta, siç janë shkollat, spitalet.”- tha Gëzim Beqaj, Inxhinier Ndërtimi 

Argumentit se ndërtesat e vjetra i mbijetuan tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, ekspertët i përgjigjen kështu

“Nuk është e thënë se meqë ra tërmeti, kjo mbajti dhe do vazhdojë të mbajë. Ne nuk e dimë se kur e ka një ndërtesë “pikën e vdekjes”. Kohën që ra një tërmet ajo kishte një aftësi mbajtëse të caktuar dhe mbase ka qenë në limitet e saj, ne këtë nuk e dimë pa e inspektuar. Unë do t’i mëshoja shumë faktit që protokollet teknike të jenë sa më të qarta dhe të zbatueshme. Të mos mbeten vetëm teorike, por të zbatohen sa më mirë edhe në praktikë.” – tha Gëzim Beqaj, Inxhinier Ndërtimi 

Projektvendimi nuk përmban detaje se çfarë do të ndodhë me pronarët e truallit apo familjet që do të preken nga prishja e këtyre objekteve apo përse janë përfshirë vetëm pallatet me këtë vjetërsi.

Top Channel