BBC: E djathta në SHBA përhap teoritë që thonë se ‘lufta në Ukrainë është e inskenuar’ (fotot)

28/02/2023 16:25
Postimet e rreme thone se roja e Zelensky, Maksym Donets, eshte sozia e tij

Në përvjetorin e parë të sulmit ushtarak rus ndaj Ukrainës, vërehet një mori pretendimesh të rreme në rrjetet sociale, disa prej të cilave marrin miliona shikime, shkruan rrjeti britanik BBC.

Një seri faqesh të djathta amerikane me numra të mëdhenj ndjekësish po postojnë pretendime të pabaza se e gjithë lufta në Ukrainë është e gënjeshtërt apo e inskenuar nga qeveritë dhe media perëndimore.

Ata që bëjnë pretendimet më të përhapura janë persona apo grupe të përjashtuara nga rrjeti Twitter që janë rilejuar pas reformave të fundit nga pronari i ri i rrjetit.

Një prej pretendimeve që po merr mbështetje në Twitter dhe rrjete të tjera është se e gjithë lufta është në njëfarë mënyre e inskenuar.

Si provë për këtë rrjetet e djathta amerikane përmendin mungesën e pamjeve nga fronti luftimit.

Një komentator shkruante në një postim viral se “mungesa e pamjeve nga lufta tregon se mund të jetë një mashtrim”.

Një tjetër komentator në Twitter me 1.4 milionë ndjekës thoshte se “nuk ka pamje” dhe “nuk ka përditësime nga lufta”, shkruan rrjeti britanik BBC.

Postimi u shpërnda edhe nga ish-këshilltari i sigurisë së administratës Trump, Michael Flynn, i cili shtonte: “Askush nuk mund të provojë se ai e ka gabim.”

Por në fakt luta në Ukrainë është gjerësisht e dokumentuar.

Përveç dëshmive okulare, ka pamje të shumta nga fronti i luftës  si nga rrjeti BBC dhe transmetues të tjerë që kanë hedhur poshtë dhe teoritë e rreme për ngjarje kyçe të konfliktit.

Dy ditë pas nisjes së pushtimit rus, pamje të një ndërtese të lartë banimi në Kiev  me një vrimë të madhe nga goditja e raketës, u shpërndanë nëpër botë.

Por ditët e fundit rrjete të tera kanë shpërndarë pamje të ndërtesës të përpunuara, që janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Imazhet e reja bëjnë të besohet se ndërtesa nuk është goditur kurrë, apo se e gjithë lufta është një gënjeshtër.

Në një tjetër video që është shpërndarë gjerësisht është ajo ku një gazetar qëndron prapa trupave të mbështjellë në Ukrainë, ku disa prej qeseve shihen që lëvizin, duke bërë të besohet se aktorë të paguar ishin shtrirë për të mbështetur narrativën e luftës në Perëndim.

“Mos lëviz – supozohet se je i vdekur!” thuhet në një prej postimeve të rrjeteve të djathta amerikane.

Në një tjetër video virale të shpërndarë online supozohet se zbulohet “aksidentalisht” sozia e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, që qëndron prapa tij dhe presidentit amerikan Joe Biden, i veshur me të njëjtat rroba.

Por burri në fjalë është i identifikuar si Maksym Donets, bodyguard personal i Zelensky, i cili ka drejtuar grupin e sigurisë prej majit 2019.

Imazhe të tij që ndjek presidentin me veshje të ngjashme mund të gjenden shpesh online, shkruan BBC.

FOTO GALERI
2/3
Dy ditë pas nisjes së pushtimit rus, pamje të një ndërtese të lartë banimi në Kiev me një vrimë të madhe nga goditja e raketës, u shpërndanë nëpër botë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA