Volodymyr Zelensky njoftoi se ka shkarkuar komandantin e forcave të armatosura të Ukrainës me një dekret presidencial, por nuk dha asnjë shpjegim mbi përse-në e largimit të beftë të gjeneralmajor Eduard Mykhailovich Moskalov, i cili ishte emëruar në këtë pozicion vetëm marsin e vitit të kaluar, kur gjenerali Oleksandr Pavliuk u caktua kreu i administratës ushtarake rajonale të Kievit.

Largimi i Moskalovit është vetëm më i fundit i një liste të gjatë ndryshimesh në radhët e lidershipit vendas të bëra nga administrata e Zelenskyt. Pavarësisht se për këto lëvizje, në vendin e përfshirë nga lufta nuk janë dhënë shpjegime zyrtare, CNN vëren se autoritetet ukrainase kanë kryer një sërë kërkimesh dhe goditjesh kundër korrupsionit në mbarë vendin, të cilat janë pasuar nga një varg shkarkimesh të profilit të lartë.Nuk është ende e qartë nëse edhe pezullimi i Moskalovit lidhet me spastrimet e fundit të fundit të korrupsionit.

Kjo vjen vetëm një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, i akuzoi vendet anëtare të NATO-s për pjesëmarrje në konflikt duke i dhuruar armë Ukrainës. “Ata po dërgojnë armë në Ukrainë në vlerë të miliarda dollarëve. Kjo është pjesëmarrje, edhe nëse jo e drejtpërdrejtë”, deklaroi Putin në një intervistë për kanalin Rossiya-1.

Ekspertët e ligjit ndërkombëtar pajtohen se dërgimi i armëve në luftë nuk e bën furnizuesin palë në konflikt, pavarësisht se çfarë armësh janë ato.

 

Top Channel