Filmi Everything Everywhere All At Once çimentoi statusin e tij si pretendent kryesor për triumfin në mbrëmjen e madhe Oscar, pas disa statujave të siguruara në ndarjen e çmimeve Screen Actors Guild, apo SAG Awards.

Aventura shumëplanëshe fitoi vlerësimin e kastit më të mirë, teksa arritjet e disa prej yjeve të saj u njohën dhe individualisht. Protagonistja e saj, Michelle Yeoh u shpall aktorja më e mirë, duke mposhtur yllin e njohur hollivudian, Cate Blanchett.”Kjo nuk është vetëm për mua, është për çdo vajzë të vogël që duket si unë“, tha Yeoh në fjalimin e saj emocional të pranimit.

“Më duket sikur po të hap gojën, do të më plasë zemra. Të marr këtë cmim nga ju, që e kuptoni shumë mirë se cfarë do të thotë të ngjitesh këtu, që e njihni këtë rrugët, uljet dhe ngritjet, gëzimet e vështirësitë e tij, është shumë e rëndësishme për mua. Ju falenderoj për dashurinë dhe mbështetjen sepse e di që këtu, jam përballë titanësh”, u shpreh aktorja Michele Yeoh.

Ylli tjetër i filmit, Ke Huy Quan u bë aziatiku i parë që fiton çmimin e aktorit më të mirë në një rol dytësor, ndërsa Jamie Lee Curtis triumfoi në kategorinë e aktores më të mirë në një rol joprotagonist. “Everything Everywhere All At Once” rrëfen historinë e një pronare lavanderie, të interpretuar nga Yeoh, e cila duhet të përdorë versione të ndryshme të vetes saj nga multiversi në mënyrë që të shpëtojë botën.

Triumfi i kësaj aventure fantastiko-shkencore i jep aktores një një vrull të rëndësishëm përpara për oscarët në 12 mars, ndërsa projekton qartazi edhe filmin vetë për statujën e artë të më të mirit. Katër çmimet e tij SAG janë më të fituarat ndonjëherë nga një film i vetëm. Kishte vetëm një fitues në kategoritë e aktrimit të filmit të SAG, i cili nuk ishte nga Everywhere Everywhere All At Once – Brendan Fraser i cili u shpall aktori më i mirë për performancën e tij në The Whale.

 

Top Channel