Vdekja e emigrantëve në brigjet e Italisë, Von der Leyen bën thirrje për reformë të azilit

26/02/2023 17:05

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për progres në reformën e bllokuar të Bashkimit Evropian për azil, pas raportimeve për vdekjen e mbi 50 migrantëve në Itali.

Von der Leyen tha se vdekjet e raportuara në orët e para të së dielës janë tragjedi që e kanë lënë atë “thellësisht të pikëlluar”.

Varka e mbingarkuar, me më shumë se 120 emigrantë, është përmbytur në rajonin e Kalabrisë, në jug të Italisë. Rreth 81 persona kanë shpëtuar deri më tani.

“Ne duhet të dyfishojnë përpjekjet tona për Paktin e Migrimit dhe Azilit, dhe planin e veprimit për qendrën e Mesdheut”, tha ajo.

Një numër i madh i emigrantëve, që i ikin konfliktit dhe varfërisë, e marrin rrugën nga Afrika për në Itali çdo vit.

Ende është e paqartë se nga vijnë viktimat, ndërsa mediat kanë raportuar se ata ishin nisur nga Irani, Iraku, Siria, Afganistani, Pakistani dhe Somalia.

Edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur keqardhjen për përmbytjen e varkës, dhe premtoi se do t’i japë fund situatës me emigrantët, për të parandaluar më shumë tragjedi.

Top Channel