“Shtegu” i artizaneve në Durrës/ Portat e vjetra që i shpëtuan edhe tërmetit, përjetësohen në punime me grep

26/02/2023 19:57

Përfaqësuese të heshtura të historisë së re të qytetit të Durrësit, 12 dyer të vjetra banesash qytetare do të vijnë në një tjetër formë nga artizanet e qytetit për të krijuar një shteg të ri turistik, këtë sezon.

“Çdo derë, përfaqëson një familje. Ka një histori, përfaqëson një kategori të zhvillimit, sfidat, rëniet e ngritjet e familjeve“, thotë Dorina Xheraj, eksperte e turizmit dhe pedagoge.

Liljana dhe Manushaqja janë kunata. Ato e kanë kthyer në profesion punën e dorës dhe së bashku me gra të tjera artizane, pasditeve në fundjavë, mblidhen te MuzehLab për të realizuar me grep e shtiza dyert e vjetra të Durrësit.

“Kur kemi dalë dhe i pamë dyert në fillim ngelëm si të habitura. Si do e bëjmë me grep gjithë këtë derë kaq të vjetër?! Si do i arrijmë që ta bëjmë çdo detaj në vendin e vet?! Por me durim u bënë”, thotë Liljana.

Për Ezmerinën, një tjetër artizane durrsake, ideja që fillimisht ngjalli habi, u kthye shpejt në një sfidë për të nxjerrë në pah trashëgiminë e harruar të qytetit të Durrësit.

“Shumë dyer të qytetit janë shkatërruar e shumë të tjera janë hequr fare. Është fatkeqësi se duhet të ishin ruajtur, të ishin bërë restaurime. Me këtë projekt po përpiqemi të afrojmë brezin e ri me punimet artizanale dhe të njihen me historikun e qytetit”, rrëfen Ezmerina Kasa.

Teksa përpiqet t’i mësojë grepin të bijës 4-vjeçare, Manushaqja thotë se puna e dorës po vlerësohet gjithnjë e më shumë, veçanërisht nga të huajt.

“Brezi i ri mendon se këto janë gjëra të vjetra dhe që nuk i përshtaten, por me kalimin e kohës do t’i kërkojnë”, thotë Manushaqe Arifaj.

Dyert, që datojnë në shekullin XIX dhe janë pjesë e zhvillimit urban të kohës, i mbijetuan edhe tërmetit të vitit 2019. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UNOPS, dy organizata të qytetit po punojnë për krijimin e një rruge të re turistike.

“Qëllimi kryesor është të lidhet qyteti me qytetarët dhe duke u krijuar ky shteg i ri do të sjellë dhe zhvillimin e turizmit kulturor, krijon një atraksion të ri që qyteteve tona i mungon. Ne e hapim në maj dhe do t’i ftojmë qytetarët të bëhen pjesë e ecjes sonë tematike…”, thotë Dorina Xheraj.

Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe rrëfimi i saj përmes portave të vjetra dhe punimeve të dorës, është një tjetër urë që lidh të kaluarën me të sotmen e të ardhmen e qytetit që çdo vit pret turistë nga e gjithë bota.

Top Channel