E PLOTË/ Starton edicioni i pestë i “Big Brother VIP”, 14 banorë bëhen pjesë të shtëpisë më të famshme në Shqipëri Përfaqësuese të heshtura të historisë së re të qytetit të Durrësit, 12 dyer të vjetra banesash qytetare do të vijnë në një tjetër formë nga artizanet e qytetit për të krijuar një shteg të ri turistik, këtë sezon.
“Çdo derë, përfaqëson një familje. Ka një histori, përfaqëson një kategori të zhvillimit, sfidat, rëniet e ngritjet e familjeve“, thotë Dorina Xheraj, eksperte e turizmit dhe pedagoge.
Liljana dhe Manushaqja janë kunata. Ato e kanë kthyer në profesion punën e dorës dhe së bashku me gra të tjera artizane, pasditeve në fundjavë, mblidhen te MuzehLab për të realizuar me grep e shtiza dyert e vjetra të Durrësit.
“Kur kemi dalë dhe i pamë dyert në fillim ngelëm si të habitura. Si do e bëjmë me grep gjithë këtë derë kaq të vjetër?! Si do i arrijmë që ta bëjmë çdo detaj në vendin e vet?! Por me durim u bënë”, thotë Liljana.
Për Ezmerinën, një tjetër artizane durrsake, ideja që fillimisht ngjalli habi, u kthye shpejt në një sfidë për të nxjerrë në pah trashëgiminë e harruar të qytetit të Durrësit.
“Shumë dyer të qytetit janë shkatërruar e shumë të tjera janë hequr fare. Është fatkeqësi se duhet të ishin ruajtur, të ishin bërë restaurime. Me këtë projekt po përpiqemi të afrojmë brezin e ri me punimet artizanale dhe të njihen me historikun e qytetit”, rrëfen Ezmerina Kasa.
Teksa përpiqet t’i mësojë grepin të bijës 4-vjeçare, Manushaqja thotë se puna e dorës po vlerësohet gjithnjë e më shumë, veçanërisht nga të huajt.
“Brezi i ri mendon se këto janë gjëra të vjetra dhe që nuk i përshtaten, por me kalimin e kohës do t’i kërkojnë”, thotë Manushaqe Arifaj.
Dyert, që datojnë në shekullin XIX dhe janë pjesë e zhvillimit urban të kohës, i mbijetuan edhe tërmetit të vitit 2019. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UNOPS, dy organizata të qytetit po punojnë për krijimin e një rruge të re turistike.
“Qëllimi kryesor është të lidhet qyteti me qytetarët dhe duke u krijuar ky shteg i ri do të sjellë dhe zhvillimin e turizmit kulturor, krijon një atraksion të ri që qyteteve tona i mungon. Ne e hapim në maj dhe do t’i ftojmë qytetarët të bëhen pjesë e ecjes sonë tematike…”, thotë Dorina Xheraj.
Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe rrëfimi i saj përmes portave të vjetra dhe punimeve të dorës, është një tjetër urë që lidh të kaluarën me të sotmen e të ardhmen e qytetit që çdo vit pret turistë nga e gjithë bota.
Top Channel