Atletico Madrid nuk mundi të dilte me pikët e plota nga derbi i javës së 23-të në La Liga teksa barazoi me rezultatin 1-1 ndaj Real Madrid në Santiago Bernabeu.
Por, përveç faktit që nuk fituan, kjo sfidë lë edhe një tjetër shije të hidhur në kampin e Los Colchoneros duke qenë se trajneri Diego Simeone humbet shërbimet e Reinildo Mandavës për pjesën e mbetur të sezonit.
Në një duel me Valverden në pjesën e parë të ndeshjes, mbrojtësi i majtë mbeti në tokë dhe u detyrua të dilte nga fusha vetëm me ndihmën e barelës. Pasi u dërgua në spital për 29-vjeçarin u konfirmua edhe ajo që më së shumti i frikësohej, me lojtarin mozambikas që ka këputur ligamentin e gjurit të djathtë.
Koha e rikuperimit është minimalisht gjashtë muaj dhe ky sezon konsiderohet i përfunduar për mbrojtësin Reinildo. Një lajm vërtet i rëndë për Atletico Madrid duke qenë se Reinildo ishte një nga lojtarët titullarë të spanjollëve në këtë sezon duke rezultuar mjaft produktiv për taktikat e trajnerit Simeone.
Top Channel