Një përvjetor tragjik për Ukrainën dhe të gjithë botën që është bërë dëshmitare e luftës që ka nisur Rusisë, e ka cilësuar ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ditën e sotme, kur bëhen një vit nga sulmi rus në Ukrainë.
Në fjalën e saj në Këshillin e Sigurimit në OKB, Xhaçka përmendi jetët e humbura si pasojë e sulmeve ruse dhe dëmet e panumërta, duke theksuar se pasojat për Ukrainën janë të pamatshme.
“Mijëra civilë kanë humbur jetën; miliona fëmijë kanë humbur shkollat e tyre; njerëz të panumërt kanë humbur shtëpitë e tyre; miliona të tjerë janë zhvendosur dhe dëmet në infrastrukturën dhe ekonominë e Ukrainës janë të pamatshme.
Miliona në mbarë botën, sidomos më të varfrit dhe shtresat më të prekura, kanë vuajtur shumë për shkak të efekteve globale të luftës, veçanërisht të rritjes së krizës ushqimore.
Gjatë gjithë vitit, bota ka qenë dëshmitare e ngjarjeve, ka verifikuar dhe dokumentuar krime të neveritshme, ekzekutime, përdhunime, plaçkitje, tortura, dëbime të fëmijëve, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga pushtuesi.
Ne kemi qenë dëshmitarë të mijëra të dënuarve që u detyruan të mobilizohen dhe u sakrifikuan në radhët e grupit Wagner, një makinë vrasëse me gjurmë famëkeqe dhe në pjesë të tjera të botës”.
Xhaçka kujtoi se kjo luftë e paprovokuar kundër një vendi dhe populli të pafajshëm, kryhet nga një anëtar i përhershëm i këtij Këshillit të Sigurimit. Teksa tha se Ukraina meriton të ketë një të ardhme me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, shprehur mbështetjen politike, ekonomike dhe ushtarake për popullin ukrainas.
Një rezolutë, bashkësponsorizuese e të cilës ishte Shqipëria, që i kërkon Moskës fundin e armiqësive dhe tërheqjen e menjëhershme të trupave të saj, që kanë mbjellë vdekje dhe shkatërrim në vendin fqinj me një agresion krejtësisht të paprovokuar, u votua një ditë më parë nga 141 vende.
Top Channel