Shërbimi taksi në kryeqytet, pjesë e rëndësishme e transportit publik, është transformuar tërësisht në 8 vitet e fundit.
Gjatë një takimi me përfaqësues të kompanive të taksive në Tiranë, në kuadër edhe të fillimit të punës për zhvillimin e Planit Strategjik 5-vjeçar të transportit publik, kryebashkiaku Erion Veliaj, u shpreh se ky transformim ka shërbyer edhe si një kartolinë për kryeqytetin për këdo që e ka vizituar, sidomos gjatë vitit të Kryeqytetit Europian të Rinisë.
Ai e vuri theksin te fakti se më shumë se 60% e flotës së taksive në Tiranë sot janë elektrike, që ndotin më pak dhe me kosto më të ulët për qytetarët.
“Unë besoj që kush vjen turist, apo ka vizituar Tiranën, sidomos gjatë vitit kur ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë, apo dhe tani i Sportit, gjëja e parë që dallon janë taksitë. Është sot zyrtarisht qyteti me më shumë taksi elektrike në rajonin tonë, me mbi 60% e flotës. Më vjen mirë për këtë, sepse gjejnë një taksi të pastër, që nuk bën zhurmë, që nuk ndot, një njeri të respektueshëm, dikë që di të komunikojë në gjuhë të huaj, e që jep disa orientime për qytetin. Kemi marrë super komplimente nga qytetarët që e përdorin, nga turistët dhe sigurisht edhe kostoja është më e përballueshme. Kartolina e parë e njohjes me një qytet është taksisti, duke filluar nga aeroporti, stacioni i autobusit, apo tek hoteli që të merr e të lëviz nëpër Tiranë dhe për këtë keni një kompliment shumë të madh. Ju jam vërtet shumë mirënjohës,” u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se kjo erdhi si rezultat i liberalizimit të tregut. “Duhej marrë ajo masë e guximshme e liberalizimit, se ndryshe nuk do kishte treg. Për mua ishte më e lehtë të liberalizoja këtë treg dhe të futeshit ju aktorë – shumica jeni aktorë të operimit të taksive në 8 vitet e fundit, pra jeni licencuar nga kjo administratë – dhe incentiva për t’i dhënë licencat shpejt, sidomos kompanive që vijnë me hibrid e elektrike, realisht e ka transformuar Tiranën,” nënvizoi ai.
Veliaj ftoi qytetarët të përdorin më shumë këtë shërbim. “Ftesa për të gjithë qytetarët është që të ndihmojmë këtë industri. Po të bësh llogarinë, kursen më shumë me taksi, sesa me blerjen e një makine të re, e cila, përveç kostos, ka parkimin, vaj e filtra, siguracionin, ka të gjitha amortizimet e tjera, apo gjobat për parkim të gabuar, ndërkohë që kur përdor taksinë paguan vetëm shërbimin dhe të gjitha dhimbjet e kokës janë për kompanitë e taksive,” tha kryebashkiaku.
Veliaj foli edhe për korsitë e dedikuara të taksive. “Janë disa akse të cilat mund të modifikohen, siç u bë “Rruga e Durrësit”, vetëm hyrje në Tiranë dhe kemi liruar dy korsi për taksi, autobusë, një korsi me dy kalime biçikletash dhe krejt papritur nga një aks me shumë trafik, sot është bërë shumë më e kalueshme seç ka qenë. Në disa raste, ku rrugët i bëjmë nga e para, sigurisht është më e lehtë. Mjafton të shikoni “Bulevardin e Ri”, ku rruga është bërë për 10 vitet e ardhshme se është bërë që në fillim dy korsi makinash private, një autobus dhe taksi, pjesa tjetër biçikletë dhe lulishte për këmbësorët, pra është bërë dhe park linear,” u shpreh ai.
Veliaj përmendi edhe futjen e linjave të shpejta të autobusëve të cilat do të çlirojnë korsitë e tjera nga trafiku, përfshirë edhe atë të taksive. “Ne do duhet të kalojmë në atë që quhet “Bus Rapid Transit”, pra lëvizje e shpejtë me autobusë, ku Unaza klasike, Tirana e Re dhe Kinostudio – Kombinat do të shkojë në një aks të mbrojtur për mjetet e transportit publik. Është diçka që e kemi parë edhe në perëndim, sidomos qytetet e mëdha. Në këto tre akse të para do fillojmë që këtë verë investimin, ku korsia do jetë e pandërprerë, ose siç quhet “shuttle lane”, shpjegoi ai.
Në fund, ai tha se së shpejti ashtu siç është bërë një studim për autobusët, do bëhet edhe një studim të plotë për funksionimin e shërbimit taksi në kryeqytet.
Top Channel