Tërmeti i ri në Turqi, të bllokuar të tjerë nën rrënoja: U shembën banesat e goditura

21/02/2023 12:10

Ekipet e shpëtimit në Turqi po kërkojnë edhe një herë për njerëz të bllokuar nën rrënoja pas tërmetit të ri që goditi vendin, duke marrë të paktën 6 jetë njerëzish.

Tërmeti me magnitudë 6.4 goditi pranë qytetit të Antakias pranë kufirit me Sirinë, pikërisht një nga zonat ku tërmetet masive të 6 shkurtit vranë mbi 45 mijë vetë, e lanë pas një vazhdë shkatërrimesh masive, ndërsa dhjetëra mijëra persona mbeten të pastrehë.

Ndërtesat e dobësuara nga lëkundjet e atëhershme, nuk i rezistuan dot tërmetit të ri që goditi në 20.04 të së hënës me orën lokale   në një thellësi prej 10 km (6.2 milje). Ai u pasua tre minuta më vonë nga një paslëkundje e magnitudës 5.8 tre minuta dhe nga 31 luhatje të tjera të njëpasnjeshme, të cilat nuk ishin megjithatë edhe aq të forta.

 “Ishte e frikshme, vërtet. Unë erdha në Hatay si vullnetare për të ndihmuar viktimat e termeteve të para, dhe tani e përjetova vetë. Falë Zotit që ishim jashtë, në një vend të hapur dhe nuk kishte godina pranë nesh. Nuk dinim ctë bënim, nuk lëvizëm nga vendi, thjesht pritëm që tërmeti të qetësohej”, tha Ilgaz Ezozer, studente.

“Njerëzit i përfshiu paniku. Ishte tërmet shumë i fortë. Pranë tendave ku ndodheshim ne kishte ndërtesa, ishte e pamundur të mos frikësoheshe. Unë këtu jetoj, e kalova dhe tërmetin e parë, por isha me miq që kanë ardhur si vullnetarë, dhe e mblodhëm veten e u përpoqëm të qetësonim dhe të ndihmonim të tjerët”, tha Halil Yakut, vullnetar.

Tre vdekjet ndodhën në Antakia, Defne dhe Samandag, tha Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu, duke u kërkuar njerëzve të mos hyjnë në godina që rrezikojnë shembjen.

Ministri i Shëndetësisë, Dr Fahrettin Koca nga ana tjetër foli për rreth 300 të lënduar- 18 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Mendohet se numri i viktimave ishte relativisht i ulët këtë herë, sepse tërmeti goditi në një zonë e cila ishte kryesisht bosh pasi u prek rëndë nga tërmeti i 6 shkurtit.

Në Siri ndërkohë, rreth 470 persona të plagosur thuhet se të jene paraqitur nëpër spitale pas tërmetit të së hënës dhe pas lëkundjeve të tij, që u ndjenë deri në Egjipt dhe Liban.

Top Channel