Biden mesazh të qartë Rusisë nga Polonia: Kievi qëndron i fortë, NATO më e bashkuar se kurrë

21/02/2023 19:11

Një ditë pas vizitës së paparalajmëruar në Kiev, Biden përforcoi mesazhin e përkushtimit amerikan ndaj krahut lindor të aleancës që ndodhet më pranë konfliktit, duke i dërguar një mesazh të qartë Moskës nga Varshava.

“Kievi qëndron i fortë dhe NATO është më e bashkuar se kurrë”- ishte ky mesazhi që dha presidenti Biden në një fjalim nga Varshava.

Në fjalimin që mbajti një ditë pas vizitës në Kiev, presidenti Biden siguroi Ukrainën dhe aleatët e NATO-s për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës.

Një vit më parë, bota ishte e shqetësuar për rënien e mundshme të Kievit. Kievi qëndron i fortë, Kievi qëndron krenar, qëndron i papërkulur dhe më e rëndësishmja, qëndron i lirë. Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë“, tha presidenti Biden .

Biden shtoi se NATO-ja nuk do të përçahet dhe SHBA nuk do të dorëzohet në mbështetje të Ukrainës, aty ku lufta po hyn në fazë tjetër. Ai tha se Putin po përballet sot me demokraci më të forta.

Kur Presidenti Putin urdhëroi tanket e tij të hynin në Ukrainë, ai mendoi se ne nuk do të bënim asgjë. Ai ishte i gabuar“, tha Biden.

Duke iu përgjigjur Putinit që bën fajtor perëndimin për luftën në Ukrainë, Biden tha se perëndimi nuk po bën komplot për të sulmuar Rusinë, por po mbron demokracitë.

Biden deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre do të shpallin më shumë sanksione kundër Rusisë këtë javë lidhur me agresionin ndaj që filloi gati një vit më parë.

Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të organizojnë një takim të nivelit të lartë të NATO-s vitin e ardhshëm, në 75 vjetorin e aleancës.

Top Channel