Rigjykimi për rastin e tentativës për terrorizëm dhe grusht shteti gjatë zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi të vitin 2016, i cili ishte caktuar për të hënën, është shtyrë për më 10 prill.
Shtyrja u bë për shkak të kërkesës së njërës nga të pandehurat, Branka Miliq, e cila ka bërë të ditur se ia ka hequr prokurën mbrojtësit të saj, avokatit Jugoslav Krpoviq.
Zonja Miliq ka shpjeguar se me ish-avokatin e saj, ka pasur mosmarrëveshje në lidhje me rolin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në këtë rast gjyqësor. Ajo tha për mediat malazeze se “beson se po bëhet gjithçka për të mbuluar këtë procedurë dhe se është e rëndësishme që ajo të paraqesë organizatorët e vërtetë të tentativës së dyshuar terroriste”.
“Dua të flas për rolin e Aleksandër Vuçiçit në këtë rast”, tha zonja Miliq.
Zonja Miliq po ashtu tha se “të gjithë e dinë se kjo aktakuzë bazohet në falsifikime dhe besoj se kam të drejtë ta rifilloj këtë proces në lidhje me mua”.
Kryetari i trupit gjykues, Zoran Radoviq, e pranoi propozimin e saj për shtyrjen e shqyrtimit të sotëm gjyqësor , në mënyrë që e pandehura Miliq të angazhojë një mbrojtës sipas dëshirës së saj.
Në aktakuzën e prokurorisë speciale, janë përfshirë dy shtetas rusë, Eduard Shishmakov dhe Vlladimir Popov, shtetasit serbë; Millosh Jovanoviç, Nemanja Ristiç, Predrag Bogiqeviç, Bratisllav Dikiç, Kristina Hristiç, Branka Miliç, Millan Dushiç, Dragan Maksiç dhe Srbolub Gjorgjeviç.
Në të njëjtën aktakuzë janë përfshirë edhe udhëheqësit e partive pro-serbe, Fronti Demokratik, Andrija Mandiç dhe Millan Knezheviç si dhe shoferi i tyre, Mihaillo Çagjenoviç, të cilët me 9 maj të vitit 2019 u dënuan me gati 70 vjet burg
Por në fillim të shkurtit 2021, Gjykata e Apelit nxori vendimin me të cilin revokoi vendimin e shkallës së parë dhe çështja u kthye për rigjykim në Gjykatën e Lartë të Podgoricës, por përpara një trupi gjykues të ndryshuar plotësisht. Gjykimi për grusht shtet në Mal të Zi filloi në korrik të vitit 2017 dhe u cilësua si “ Gjykim i shekullit” për shkak të përfshirjes së agjencisë ruse të sigurimit në komplotin e dyshuar.
Autoritetet malazeze pretendonin se nacionalistët serbë me ata rusë dhe një pjesë e opozitës pro-serbe në Mal të Zi kanë bërë komplot me qëllim të pushtimit të parlamentit të Malit të Zi në ditën e zgjedhjeve në tetor të vitit 2016 dhe vrasjen e kryeministrit të atëhershëm dhe presidentin aktual, Milo Gjukanoviç.
Në këtë kuadër ata kanë planifikuar që të instalojnë një udhëheqje proruse, e cila do të parandalonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Top Channel